Përplasjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë intensifikuar sërish, pasi Teherani bëri të ditur se ka goditur objektiva ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të fundit të SHBA-së pranë Ngushticës së Hormuzit.
Sipas Gardës Revolucionare iraniane, në shënjestër kanë qenë pozicione ushtarake amerikane, ndërsa Ministria e Jashtme e Iranit akuzoi Uashingtonin se ka shkelur memorandumin e mirëkuptimit të firmosur javën e kaluar. Deri në këto momente, ushtria amerikane nuk ka konfirmuar ndonjë sulm ndaj forcave të saj.
Të lidhura
None found
Ky zhvillim vjen pasi të premten ushtria amerikane ndërmori sulme kundër depove të raketave, dronëve dhe sistemeve të radarëve bregdetarë në Iran.
Sipas CENTCOM, ky operacion ishte reagim ndaj sulmit iranian kundër një anijeje tregtare pranë Ngushticës së Hormuzit.
Presidenti amerikan Donald Trump e përshkroi sulmin iranian ndaj anijes si një “shkelje të pamend” të marrëveshjes së armëpushimit, ndërsa një zyrtar amerikan theksoi se operacioni nuk sinjalizon rikthim në një konflikt të gjerë ushtarak.
Me tone të ashpra reagoi edhe zëvendëspresidenti J.D. Vance, i cili deklaroi se “dhuna do të përballet me dhunë”.
Në orët e para të së shtunës, Bahreini, vend ku ndodhet një bazë e rëndësishme ushtarake amerikane, raportoi se ishte goditur nga dronë iranianë. Ministria e Jashtme e Bahreinit e dënoi sulmin dhe e cilësoi atë një “shkelje flagrante të sovranitetit” të vendit.
Ndërkohë, një anije cisternë u godit nga një predhë e paidentifikuar në Ngushticën e Hormuzit. Mjeti lundrues pësoi dëmtime, por nuk pati persona të lënduar në mesin e ekuipazhit.
Pas incidenteve të fundit, Qendra e Përbashkët e Informacionit Detar (JMIC), e mbështetur nga Marina Amerikane, e ngriti nivelin e kërcënimit në Ngushticën e Hormuzit në kategorinë “i konsiderueshëm” dhe rekomandoi kujdes maksimal për anijet tregtare që lëvizin nëpër këtë korridor strategjik.
Edhe pse së fundmi ishte nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit, zhvillimet e ditëve të fundit kanë ngritur pikëpyetje për zbatimin e marrëveshjes mes SHBA-së dhe Iranit.
Dokumenti parashikon që Irani të sigurojë kalimin e sigurt të anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit, si edhe rikthimin gradual të trafikut detar në nivelet që ishin para konfliktit.
Megjithatë, ende mbeten paqartësi për mënyrën se si do të zbatohet marrëveshja, sidomos sa i takon çështjes së tarifave të kalimit. Presidenti Trump ka deklaruar se lundrimi duhet të jetë i lirë dhe pa pagesë, ndërsa Teherani këmbëngul se ka të drejtë të vendosë tarifa për anijet që kalojnë nëpër ngushticë.
