Panik dhe një operacion i gjerë i shërbimeve të emergjencës u shkaktuan në Pekin, pasi një aeroplan i vogël u përplas me Kullën CITIC, ndërtesën më të lartë të kryeqytetit kinez.
Mediat kineze raportuan se mjeti fluturues goditi pjesën e sipërme të godinës, ndërsa copa nga avioni dhe fragmente xhami u rrëzuan nga një lartësi e konsiderueshme. Si pasojë e incidentit, pranë hyrjes së ndërtesës shpërtheu edhe një zjarr i vogël.
Të lidhura
None found
Pas ngjarjes, u bë evakuimi i menjëhershëm i ndërtesës. Mbeturinat dëmtuan edhe disa automjete të parkuara aty pranë, ndërsa në vendngjarje mbërritën forca të shumta policore, zjarrfikës dhe ekipe mjekësore. Për arsye sigurie, autoritetet izoluan të gjithë zonën.
Sipas mediave lokale, avioni ishte i modelit Sunward SA60L Aurora dhe ishte nisur nga Aeroporti Shifosi, me vetëm pilotin në bord. Rreth orës 17:40 sipas kohës lokale, ai po përgatitej të rikthehej për ulje, kur doli nga trajektorja e fluturimit dhe humbi kontaktin me kontrollin ajror.
Deri në këtë fazë, autoritetet nuk kanë dhënë ende një bilanc zyrtar për viktima apo persona të plagosur, ndërsa rrethanat që çuan në aksident vazhdojnë të hetohen.
