Hafir Hoxha ka paraqitur një vlerësim kritik për zhvillimet politike në Kosovë, duke u ndalur te dobësimi i dy subjekteve që për vite me radhë kanë pasur peshë dominuese në jetën politike dhe institucionale të vendit, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Në një postim të tij në Facebook, ai argumenton se të dyja këto parti janë zhytur në një ngecje të theksuar organizative dhe ideore, duke mbetur të varura nga struktura të vjetra dhe nga një trashëgimi politike që, sipas tij, nuk është përshtatur me realitetin e ri dhe me pritjet e brezave të rinj. Hoxha vlerëson se mungesa e reformimit të brendshëm dhe mospërfshirja e kuadrove të reja kanë ndikuar drejtpërdrejt në zbehjen e besimit të qytetarëve, përcjell “Bota sot”.
Të lidhura
None found
Nga ana tjetër, ai e lidh rritjen e Lëvizja Vetëvendosje me një qasje më të lëvizshme dhe më pranë zhvillimeve shoqërore, përmes një stafi më të ri, komunikimit më të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe aftësisë për të pasqyruar pritjet e rinisë dhe të diasporës. Sipas analizës së tij, kjo mënyrë veprimi e ka kthyer Vetëvendosjen në forcën kryesore politike në vend.
Në fund, Hoxha thekson se e ardhmja e partive tradicionale lidhet ngushtë me gatishmërinë e tyre për reforma të thella, hapje ndaj meritokracisë dhe shkëputje nga modelet e vjetra të ngritura mbi trashëgiminë politike apo narrativat e luftës, të cilat, sipas tij, nuk po gjejnë më jehonë te gjeneratat e reja.
Shkrimi i plotë
“Analizë mbi rënien e LDK-së dhe PDK-së në nivelin e tanishëm!”
Lidhja Demokratike e Kosovës, që dikur përfaqësonte bastionin e pacifizmit para luftës dhe ishte një prej forcave më të fuqishme pas saj, sot ka rënë ndjeshëm, veçanërisht gjatë 10 viteve të fundit.
Sipas tij, kjo ka arsye historike: pas humbjes së liderit legjendar Ibrahim Rugova, strukturat u vjetërsuan dhe vepruan ngushtë, pa arritur të rigjenerohen me brezat e rinj. Ato mbetën të mbështetura vazhdimisht në ideologjinë e ndërtuar si “rugoviste”, ndërkohë që strukturat dhe njerëzit e rinj nuk kanë shumë njohuri për përmbajtjen e këtij koncepti ideor politik, i cili ka funksionuar në kushte dhe rrethana të vështira, kur nuk kishim shtet, as institucione shtetërore as për të punuar e as për të dhënë llogari, por si lëvizje ka bërë maksimumin për popullin e Kosovës aq sa ka ditur dhe mundur, në forma ilegale, gjysmëilegale dhe pjesërisht legale.
Në anën tjetër, PDK-ja, si partia e parë pas luftës, brenda së cilës ishin aktivistët e ilegales së LPK-së etj., arriti ta ruajë mbështetjen, pasi mblodhi veteranët dhe aktivistët e luftës në tërë territorin e Kosovës.
Më pas, mbi të njëjtën ide dhe pak më vonë, nga strukturat ushtarake u krijua Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke mbetur e kufizuar në frymën e luftës. Mirëpo, pasi PDK përfshiu shumicën e territorit të Kosovës, Aleancës i mbeti si bastion regjioni i Dukagjinit, faktikisht pjesët ku ata kanë luftuar gjatë viteve 1998/99.
Ndërkohë, Vetëvendosja, pas 25 vjet pune si opozitë ndaj tri partive të lartpërmendura, ka arritur të ndërtojë një staf të ri dhe të freskët, që i përgjigjet kohës. Sipas tij, ata kanë punuar, kanë dëgjuar dhe kanë frymëzuar rininë para se ajo të mbushte 18 vjeç për t’u marrë me politikë. Ata janë krijuar dhe formuar duke parë gabimet e qeverive, dhe sot janë forcë kryesore.
VV, duke dëgjuar aspiratat e rinisë dhe të mërgatës, të cilët jetojnë dhe punojnë në shtete demokratike dhe më të zhvilluara, i kupton dhe i reflekton pozitivisht në jetën e tyre. VV dëgjon dëshirat e mërgatës që dëshiron ta shohë shtetin e Kosovës të zhvilluar dhe funksional si shtetet në Perëndim. Këto synime i përfshin në planin dhe fushatën e saj politike dhe arrin t’i fitojë zgjedhjet bindshëm, me dallim të dyfishtë nga partia e dytë pas saj.
Nëse LDK-ja, PDK-ja edhe AAK-ja synojnë ta ndryshojnë fatin e tyre, atëherë duhet medoemos të investojnë te rinia, te resurset njerëzore, të hapin dyert për talente të reja dhe të ndërtojnë institucione mbi merita, jo vetëm mbi lavdinë e politikës së gjatë, mbi vlerat dhe meritat e luftës apo mbi ideologjinë tradicionale “rugoviste” si një filozofi e gjatë dhe jo atraktive për rininë e sotme. Vetëm në këtë mënyrë mund ta rikthejnë besimin dhe mbështetjen e qytetarëve.
Retorika populiste tradicionale si “unë jam rugovist” apo “unë e kam çliruar vendin, ku ishe ti?!” vështirë se mund ta bindë sot një 18-, 20- apo 25-vjeçar që të besojë se mund të kontribuojë në zhvillimin e shtetit pa qenë domosdoshmërisht rugovist, çlirimtar, apo mik e familjar i tyre.
Për këtë arsye, shumica e të rinjve nuk janë as rugovistë e as çlirimtarë, sepse nuk kanë jetuar në ato epoka. Pas 30–40 vitesh, ndoshta nuk do të jetë gjallë asnjë çlirimtar apo rugovist, ndërsa shteti do të ketë nevojë të drejtohet nga njerëz të aftë, pa këto koncepte, të cilat duhet të njihen dhe të respektohen, por jo të mbeten kusht për të qenë aktiv në politikë dhe në shtetndërtim.
