Pranë brigjeve të Siçilisë, forcat detare franceze kanë ndaluar dhe inspektuar një cisternë nafte të lidhur me të ashtuquajturën “flotë fantazmë” të Rusisë.
Presidenti francez Emmanuel Macron e bëri publik lajmin, duke shpërndarë edhe pamje nga operacioni, ku duken ushtarë francezë teksa ngjiten në bord dhe zhvillojnë kontrollet në anije.
Të lidhura
None found
Macron tha se anija, e quajtur Deliver, u ndalua sepse po lundronte në shkelje të ligjit detar ndërkombëtar.
Sipas informacioneve të inteligjencës ukrainase, “Deliver” mban flamurin e Kamerunit dhe që nga viti 2024 është angazhuar në eksportin e naftës ruse, kryesisht nga portet e Detit Baltik dhe të Detit të Zi.
Me termin “flotë fantazmë” përkufizohet rrjeti i anijeve që Rusia përdor për t’iu shmangur sanksioneve perëndimore ndaj sektorit të energjisë. Këto mjete lundruese funksionojnë përmes skemave të ndërlikuara të pronësisë, flamujve të shteteve të treta dhe mënyrave të tjera që fshehin origjinën e ngarkesës.
Veprimi i ndërmarrë nga Franca erdhi vetëm pak ditë pasi Mbretëria e Bashkuar njoftoi se kishte ndaluar dhe kontrolluar cisternën ruse Smyrtos në Kanalin Anglez.
Autoritetet britanike thanë se operacioni zgjati gjashtë orë dhe përfshiu komandot detare, oficerë të Agjencisë Kombëtare të Krimit, helikopterë ushtarakë dhe anije të Marinës Mbretërore.
“Ky veprim i fundit kundër flotës fantazmë, i zhvilluar vetëm pak ditë pas një operacioni të ngjashëm nga Mbretëria e Bashkuar, tregon vendosmërinë e europianëve”, deklaroi Macron.
Presidenti francez nënvizoi se vendet europiane nuk do të pranojnë që këto anije t’u shpëtojnë sanksioneve ndërkombëtare dhe të ndihmojnë në financimin e përpjekjeve ushtarake të Rusisë.
“Ne nuk do të lejojmë që flota fantazmë të anashkalojë sanksionet dhe të financojë luftën e Rusisë”, u shpreh ai.
