Prej një jave, Ilir Selmani po mbahet nën ruajtje të pandërprerë nga një trupë shërbimi e repartit special RENEA dhe e Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë, pasi ndaj tij është vendosur masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Kjo masë do të mbetet në fuqi deri sa Gjykata e Apelit të Posaçëm të japë një vendim të formës së prerë.
Vendosja e masave shtesë të sigurisë në banesën e Selmanit është kërkuar nga SPAK, për shkak të frikës se ai mund të arratiset. Për këtë arsye, efektivët e RENEA-s dhe FNSH-së qëndrojnë 24 orë në ruajtje të tij.
Të lidhura
None found
Selmani u lirua 6 ditë më parë nga Gjykata e Apelit të Posaçëm, pasi afatet e paraburgimit në fazën e gjykimit kishin përfunduar. Më 19 qershor 2026, Apeli i GJKKO-së pranoi kërkesën e të pandehurit dhe konstatoi se masa “Arrest në burg” kishte humbur fuqinë për shkak të kalimit të afateve ligjore të paraburgimit.
Nëse Ilir Selmani dënohet nga Gjykata e Apelit, ai do të rikthehet menjëherë në burg. Ndërkohë, ruajtja e tij nga RENEA dhe FNSH vijon pa ndërprerje për të shmangur një arratisje të mundshme.
Gjatë gjykimit në shkallën e parë, Selmani është dënuar me 26 vite burgim për akuzën e vrasjes së kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet si njëri nga autorët e vrasjes së ish-policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2019 në Tiranë.
Paralelisht me këtë proces, Ilir Selmani është i pandehur edhe nga prokuroria e Elbasanit për akuzën e “Futjes së sendeve të palejuara në burg”, pasi gjatë një kontrolli në burg, SHKB-ja e burgjeve i gjeti një aparat telefon.
