Një grup i dyshuar për mashtrim on-line përmes rrjetit të Call-Centërave në Tiranë nuk ka arritur të dalë nga qelia në Gjykatën e Apelit të kryeqytetit, ndonëse para trupit gjykues janë paraqitur argumente që lidhen me përkujdesjen ndaj fëmijëve të mitur, grave shtatzëna dhe madje edhe me ndërhyrje kirurgjikale.
Pavarësisht pretendimeve të shumicës prej tyre, mes të cilëve Ledio Toçi, Xhoel Mekolli dhe të tjerë, se janë persona familjarë, me fëmijë dhe gra shtatzëna për t’u kujdesur, gjyqtarja e Apelit, Valdete Hoxha, nuk është bindur të ndryshojë masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në një formë më të lehtë izolimi.
Të lidhura
None found
Ledio Toçi ka kërkuar lehtësim të masës së sigurisë me arsyetimin se duhet të ushtrojë rolin e babait për një fëmijë 2 vjeç. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe Xhoel Mekolli, i cili ka deklaruar se bashkëjetuesja e tij, A. Bishami, është shtatzënë dhe se duhet të kujdeset për të, pasi shtatzënia paraqet rrezik.
Në seancë, Mekolli ka shtuar gjithashtu se vijimi i qëndrimit të tij në burg e ekspozon ndaj infeksioneve, pasi ka kaluar një operacion kirurgjikal për “Sinus pilonidal recidiv”.
Ndërkohë, Gjykata e Apelit Tiranë ka zbardhur vendimin e plotë, ku Eduart Dalla, Mateo Hoxha, Tedi Agastra, Ledio Toçi, Xhoel Mekollin, Aida Voklin, Ledjon Cenaj dhe persona të tjerë në kërkim cilësohen si individë që kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, duke mashtruar qindra qytetarë të huaj dhe duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike.
Në këtë vendim, Apeli vlerëson se ekziston një rrjet “Call-Center-ash” që vepronte në Shqipëri, i organizuar përmes kompanive të marketingut online. Sipas përshkrimit të gjykatës, disa persona dyshohet se siguronin infrastrukturën teknike, të tjerë administronin kompanitë dhe ambientet, ndërsa pjesa tjetër dyshohet se përfitonte dhe transferonte fondet e ardhura nga mashtrimi i shtetasve të huaj.
Sipas vendimit të gjykatës, Eduard Dalla dyshohet të ketë qenë personi që siguronte dhe menaxhonte infrastrukturën teknike të internetit dhe lidhjeve VOIP për call center-at.
Dyshimet ndaj tij mbështeten edhe te fakti se numri i tij i telefonit rezultonte i përdorur në kontrata interneti të lidhura me IP-të e identifikuara nga autoritetet austriake.
Nga përgjimet dhe verifikimet, sipas vendimit, ka rezultuar gjithashtu se ai komunikonte me kompani interneti për instalime në adresa të ndryshme dhe dyshohet se shërbente si ndërmjetës për sigurimin dhe shpërndarjen e internetit në ambientet ku zhvillohej aktiviteti i Call-Center-ave.
Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra dyshohen si figura me rol qendror në skemën financiare të mashtrimit.
Të dhënat e autoriteteve austriake tregojnë se në adresat e tyre kripto kanë kaluar shuma shumë të mëdha parash, të lidhura me investimet e bëra nga viktimat.
Në mënyrë konkrete, Mateo Hoxha dyshohet se ka përfituar mbi 3.2 milion USD, ndërsa Tedi Agastra mbi 4.8 milion USD. Prokuroria dyshon se ata janë përfituesit fundorë të kriptovalutave të lidhura me aktivitetin mashtrues.
Edhe Ledio Toçi dyshohet si person i lidhur drejtpërdrejt me ambientet dhe aktivitetin e Call Center-ave.
Sipas të dhënave, ai ka qenë i punësuar në kompani “Call-Center” si “Upstream Creative” dhe “Victory Communication”, ndërsa banesa ku ishte instaluar një nga lidhjet e internetit të përdorura në mashtrim rezultonte e marrë me qira prej tij dhe Aida Voklit.
Po ashtu, një numër telefoni i referuar nga autoritetet austriake rezultonte formalisht në emër të vëllait të tij, por dyshohej se përdorej nga Ledio Toçi.
Edhe Xhoel Mekolli dyshohet si person i lidhur me aktivitetin e call center-ave, pasi IP-të e identifikuara nga autoritetet partnere rezultonin të përdorura edhe prej tij, ndërsa analizat teknike kanë treguar një numër të lartë lidhjesh me këto IP.
Mekolli kishte qenë i punësuar edhe në subjektin “Espiron Studio” dhe gjatë vëzhgimeve policore është konstatuar pranë ambienteve të dyshuara.
