Gazetari i njohur Osman Stafa, teksa fliste në emisionin “News24 Fundjavë”, kritikoi kryeministrin Edi Rama, për paketën e re ligjore që synon të trajtojë dhunën gjatë protestave.
Sipas tij, nisma kufizon liritë qytetare dhe qeveria po shmang përgjegjësinë për dhunën e raportuar ndaj studentëve dhe të rinjve.
Të lidhura
None found
Stafa vlerësoi se paketa përbën kërcënim për demokracinë dhe duhet të kalojë në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.
Gjithashtu, ai vuri në dukje se ndëshkimet parashikohen për protestuesit, ndërsa nuk po hartohen masa të ngjashme për efektivët e policisë që dyshohen për ushtrim dhune.
“Çfarë po bën sot kryeministri? Po shpall diktaturën. Paketa e re ligjore është shpallje e një diktature të mirëfilltë në Shqipëri. Nuk e di nëse anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të kenë këllqe për ta rrëzuar, por ata duhet ta mbrojnë Republikën.
Shqipëria është më e rëndësishme se Edi Rama, Sali Berisha, çdo pushtetar dhe çdo parti politike. Ajo është vendi ynë, kombi ynë dhe e ardhmja jonë.
Kryeministri nuk thotë asgjë për dhunën e policisë ndaj protestuesve. Nuk ka asnjë paketë ligjore për ata që ushtrojnë dhunë. Po ashtu, nuk ka masa për personat që dalin të maskuar e pa identitet. Unë i quaj banda që mbrojnë pushtetin e korruptuar të Edi Ramës”, deklaroi ai.
Gazetari foli edhe për numrin e madh të të rinjve në protesta, duke thënë se kjo pjesëmarrje pasqyron shqetësimin e tyre për të ardhmen dhe mungesën e perspektivës në Shqipëri.
Ai kritikoi mënyrën se si përdoren fondet publike, duke vënë përballë shpenzimet për projekte qeveritare dhe vështirësitë që, sipas tij, hasin qytetarët në shërbimin shëndetësor.
“Për çfarë i shpenzojnë këto para? Emergjencë nuk qenkan nënat me kancer dhe baballarët në spitalin onkologjik. Emergjencë është koncerti i Kanye West. Te Kryeministria kemi Kopshtin Eden.
Për kryeministrin ai është emergjencë, por për qytetarët shqiptarë Kopshti Eden nuk ka asnjë vlerë. Zero! Ai çon atje 4.3 milionë euro. Kemi edhe satelitë që nuk na kanë ndihmuar për asgjë.
Në gjithë karrierën time si gazetar, duke mbuluar protesta, nuk kam parë kurrë kaq shumë të rinj. Ata janë të kërcënuarit dhe po luftojnë për të ardhmen e tyre, ndoshta edhe për familjet e tyre.
Më shumë se gjysma e të rinjve, ndoshta edhe më tepër, janë larguar nga Shqipëria sepse nuk shohin më të ardhme këtu. Të gjithë kushërinjtë e mi të parë kanë ikur: në Itali, Greqi, Gjermani, Angli dhe Amerikë”, u shpreh Stafa.
Gjatë intervistës, ai tha se situata nuk duhet parë më si një përplasje mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, por si një çështje që prek të ardhmen e Shqipërisë.
Stafa u bëri thirrje qytetarëve të vendosin interesin e vendit mbi përkatësinë politike dhe kritikoi klasën politike të 36 viteve të fundit.
“Në gjendjen ku është Shqipëria, kjo nuk është më çështje partish politike. Nuk ka më lidhje as me PS-në, as me PD-në. Mbaje partinë tënde dhe në zemër Edi Ramën ose Sali Berishën, cilindo që dëshiron.
Tani duhet të mbash në zemër vendin tënd, Shqipërinë. Partia mund të digjet, por Shqipëria nuk duhet të digjet!
Shqipëria do të mbijetojë dhe të gjithë duhet të jemi në krah të saj e të mbështesim njëri-tjetrin.
Kjo nuk është lëvizje apo protestë për të marrë pushtetin. Ajo kërkon t’i japë fund politikës 36-vjeçare.
Përtej rolit tim si gazetar, jam edhe njeri dhe kam bindjet e mia. I shoh vetë ngjarjet dhe kam parë çfarë u ndodh njerëzve në spitale. Kjo është plaga më e madhe e shqiptarëve.
Qytetarët duhet ta kuptojnë se ky është një çast historik për të ardhmen e tyre”, tha ai.
Në fund, Stafa përsëriti akuzat ndaj Ramës, duke thënë se kryeministri synon të konsolidojë pushtetin përmes kufizimeve dhe se, pas katër mandatesh në qeveri, nuk ka përmbushur pritshmëritë e qytetarëve.
“Shqipëria do të shkojë në Europë, me këtë apo pa këtë. Por nuk mund t’i vësh zjarrin vendit tënd, t’i largosh të rinjtë, t’i lësh spitalet në gjendjen që janë dhe pastaj t’i thuash Shqipërisë se nuk do ta çojnë në Bashkimin Europian.
Ai do të kujtohet në histori si njeriu që po shpall e kërkon diktaturë në Shqipëri dhe që ka rrahur e masakruar studentët dhe gjimnazistët”, u shpreh ai.







