Në Hagë, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, u takua me presidentin e Eurojust, Michael Schmid, për të biseduar mbi thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në luftën kundër krimeve ndërkufitare.
Sipas Lamallarit, gjatë këtij takimi u çmua partneriteti i qëndrueshëm mes Shqipërisë dhe Eurojust, një bashkëpunim që po sjell rezultate konkrete në hetimin e veprave penale komplekse, trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe mashtrimeve online.
Të lidhura
None found
Ministri vlerësoi gjithashtu mbështetjen që Eurojust po u jep institucioneve shqiptare, si edhe rolin e rëndësishëm të Prokurorit Ndërlidhës në forcimin e bashkëpunimit gjyqësor me vendet e Bashkimit Evropian.
Lamallari nënvizoi se Shqipëria do të mbetet një partnere e besueshme në përpjekjet e përbashkëta për siguri, drejtësi dhe sundim të ligjit, ndërsa theksoi se mbështetja për institucionet e drejtësisë është thelbësore në rrugën drejt përmbushjes së standardeve evropiane.
Ky takim u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm mes institucioneve shqiptare dhe agjencive evropiane të drejtësisë për forcimin e luftës kundër kriminalitetit ndërkufitar.
