Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka komentuar kërkesën e ardhur nga degët e Pejës dhe Lipjanit për dorëheqjen e kryetarit të partisë, pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Sipas tij, kjo çështje përbën pjesë të funksionimit demokratik brenda LDK-së dhe, si e tillë, duhet parë si një kërkesë politike.
Të lidhura
None found
Haziri bëri të ditur se kërkesa e degëve që udhëhiqen nga Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti, si edhe përgjigjja e Lumir Abdixhikut, do të shqyrtohen në organet e partisë.
Ai theksoi se një zhvillim i tillë nuk i ka befasuar, pasi, sipas tij, situata të kësaj natyre janë të zakonshme pas proceseve zgjedhore.
“Është kërkesë politike, reagimi i kryetarit është ky, ka fillu me falënderim dhe natyrisht e ka ndërtua përgjigjen e tij, të cilën do ta diskutojmë brenda strukturave. Ne kemi një qëllim të përbashkët, nuk bën me prek, qëllimin politik, pse LDK ekziston, garon, cili është misioni jonë , kjo është ajo që e kemi të përbashkët. Derisa LDK nuk kthehet parti e parë për shumë prej neve është e pa pranueshme, trendi është pozitiv. Kjo situatë nuk na ka zënë në befasi, situatat paszgjedhore, LDK është e hapur dallon prej partive tjera nuk i mban të mbyllura këto çështje edhe pse do duhej biseduar brenda”, ka thënë Haziri në Tëvë1.
Dega e LDK-së në Pejë dhe Lipjan, si edhe Dega II e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë, kanë kërkuar dorëheqjen e Lumir Abdixhikut, duke vlerësuar se LDK-ja ndodhet në një prej periudhave më të vështira të historisë së saj.
