Prokuroria Themelore në Pejë ka prezantuar detaje lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë.
Gjatë një konference për media, zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi, deklaroi se institucionet e drejtësisë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe mohoi se ka pasur neglizhencë në trajtimin e rastit.
Të lidhura
None found
Sipas tij, pas ankesës së viktimës për kanosje, më 23 tetor prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të saj, Jeton Sylaj, për veprën penale “kanosja” në kuadër të marrëdhënies familjare.
Nikçi bëri të ditur se kryeprokurorja Lumturie Vuçetaj kishte hapur menjëherë një rast në Departamentin për Krime të Rënda, pasi kishte pranuar një parashtresë nga viktima me tri çështje të ngritura.
“Në paragrafin e parë, sipas viktimës, ka pasur pretendime për një zinxhir zyrtarësh që i kanë neglizhuar dhe nuk i kanë trajtuar rastet. Menjëherë kryeprokurorja ka hapur rast në Departamentin për Krime të Rënda dhe ka autorizuar prokurorin për krime të rënda që të ndërmarrë veprime lidhur me pretendimet e viktimës, në mënyrë që të verifikohet çdo veprim i secilit zyrtar”, tha Nikçi.
Ai sqaroi se çështja e dytë kishte të bënte me ekzekutimin e një vendimi gjyqësor. Nga koha e marrjes së vendimit deri më 18 tetor, viktima kishte kërkuar zbatimin e tij, përmes të cilit i njihej e drejta e pronësisë dhe e shfrytëzimit të pronës së paraparë me ish-bashkëshortin e saj. Po ashtu, ndaj ish-bashkëshortit ishte nxjerrë urdhër mbrojtës që të mos i afrohej viktimës në një distancë prej dy metrash.
Pas shqyrtimit të rrethanave, kryeprokurorja e kishte përcjellë çështjen tek institucionet përkatëse, duke kërkuar ndërhyrje urgjente.
“Të enjten, më 22 tetor, është ekzekutuar ky vendim dhe viktima ka shkuar së bashku me Policinë e Kosovës. Disa orë më vonë, në polici janë raportuar mosmarrëveshje brenda shtëpisë. Prokurorja kujdestare ka shkuar në polici, ka biseduar me viktimën dhe, së bashku me policinë, ka analizuar situatën. Përfundimi ka qenë se shëndeti dhe jeta e saj ishin në rrezik, ndaj i është kërkuar të mos shkonte në atë shtëpi, pasi siguria e saj mund të cenohej”, deklaroi Nikçi.
Sipas tij, në këtë rast ishin të përfshirë viktima dhe ish-bashkëshorti i saj, i cili aktualisht ndodhet në ndalim. Megjithatë, Arlinda Zekaj kishte kundërshtuar kategorikisht që të mos shkonte në shtëpi.
Nikçi tha se kryeprokurorja e shtetit kishte ftuar dy vëllezërit e viktimës, të cilët ishin përpjekur ta bindnin atë të qëndronte në shtëpinë e tyre deri në gjetjen e një zgjidhjeje. Ndërkohë, kryeprokurorja u kishte drejtuar kërkesë të gjitha institucioneve për ndërmarrjen e veprimeve urgjente.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë theksoi se më herët nuk kishte pasur precedent penal mes viktimës dhe autorit të vrasjes, i cili ende ndodhet në arrati.
“Ish-kunati i saj, i dyshuar për veprën penale ‘vrasje e rëndë’, vazhdon të jetë në arrati. Policia po punon intensivisht për lokalizimin dhe arrestimin e tij, ndërsa për këtë çështje është kërkuar edhe ndihma e qytetarëve”, tha ai.
Nikçi shtoi se prokuroria beson se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e parashikuara dhe se ka kërkuar nga institucionet e tjera që të veprojnë me urgjencë. Ai tha se në media ishte publikuar një letër, ndërsa theksoi se faktet tregojnë se rasti ndaj zyrtarëve ishte hapur menjëherë.
“I kuptojmë reagimet dhe shqetësimet, sepse kemi humbur një qytetare. Megjithatë, nga të gjitha institucionet, Prokuroria Themelore ka ndërmarrë numrin më të madh të veprimeve të duhura”, u shpreh Nikçi.
I pyetur nëse kryeprokurorja Lumturie Vuçetaj mund të japë dorëheqje, Shkodran Nikçi tha se ajo është e angazhuar me procedurat që lidhen me rastin tragjik.
“Ne si prokurori nuk kemi asgjë për të fshehur. Kryeprokurorja dhe ne kemi ndërmarrë të gjitha veprimet”, deklaroi ai.
Arlinda Zekaj u vra mbrëmë në Vitomiricë të Pejës nga kunati i saj, i cili vijon të jetë në kërkim nga policia. Ndërkaq, Gjykata Themelore në Pejë ka pranuar sot aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Pejë ndaj ish-bashkëshortit të saj, Jeton Sylaj, për veprën penale “kanosja”.





