Gjatë tryezës së zhvilluar sot me partnerët e sistemit të drejtësisë, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se në gjashtë vitet e fundit financimi për drejtësinë në Shqipëri ka pësuar rritje të ndjeshme.
Ai tha se buxheti i shtetit për sistemin e drejtësisë ka kaluar nga 66 milionë euro në vitin 2020 në 135,6 milionë euro aktualisht, çka sipas tij përfaqëson një rritje prej më shumë se 105 për qind në gjashtë vite. Po gjatë kësaj periudhe, shtoi ministri, në sistemin e drejtësisë janë krijuar edhe 709 vende pune.
Të lidhura
None found
“Në vitin 2020, buxheti i shtetit për sistemin e drejtësisë ishte 66 milionë euro. Sot është 135,6 milionë euro, një rritje prej më shumë se 105 për qind në gjashtë vite. Gjatë kësaj periudhe janë shtuar 709 vende pune në sistem”, tha Gogu.
Ministri vuri në dukje gjithashtu se për periudhën 2025–2027, mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë llogaritet në rreth 43,8 milionë euro.
“Mbështetja e partnerëve për periudhën 2025–2027 arrin rreth 43,8 milionë euro, një kontribut i rëndësishëm dhe strategjik që plotëson investimin e shtetit shqiptar. Modeli që besoj se duhet të bëhet standard është ai i bashkëfinancimit”, tha ai.
Duke marrë si shembull projektet e digjitalizimit në drejtësi, Gogu tha se për sistemin ICMS (Juronix + CAMS), Suedia ka dhënë 2,5 milionë euro, ndërsa qeveria shqiptare ka financuar 9,6 milionë euro nga buxheti i shtetit.
“Për sistemin ICMS (Juronix + CAMS), Suedia kontribuoi me 2,5 milionë euro, ndërsa qeveria shqiptare 9,6 milionë euro nga buxheti i shtetit”, tha ai.
Sipas Gogut, Bashkimi Evropian ka mbështetur me 7,5 milionë euro sistemin CAMS të prokurorisë.
“Ky është partneritet. Ky është bashkëfinancim”, tha Gogu.
Ministri propozoi edhe një mënyrë të re koordinimi, duke kaluar nga qasja e bazuar te projektet te matja e rezultateve konkrete për qytetarët.
Sipas tij, Shqipëria ndodhet tashmë në një etapë të re të reformës, ku institucionet vlerësohen mbi bazën e performancës, ndikimit dhe rezultateve reale. “Për vite me radhë pyetja ishte nëse mund të ndërtonim institucionet e reja të drejtësisë. Sot pyetja është nëse ato po japin rezultatet që presin qytetarët,” deklaroi Gogu.
