Egjipti përjetoi një mbrëmje historike në ndeshjen e fundit të raundit të dytë në Grupin G të Kupës së Botës, duke mundur Zelandën e Re me rezultatin 3-1 pas një përmbysjeje të madhe. Ky sukses shënon fitoren e parë të përfaqësueses afrikane në historinë e saj në këtë turne.
Falë këtij triumfi, egjiptianët ngjiten në vendin e parë të grupit me katër pikë, duke lënë pas Iranin dhe Belgjikën, ndërsa Zelanda e Re vazhdon të mbetet në fund të renditjes.
Të lidhura
None found
Ndeshja nisi me intensitet dhe skuadra nga Oqeania u shfaq më kërcënuese në fillim. Singh tentoi në minutën e shtatë, ndërsa në minutën e 14-të Just iu afrua shumë golit, por portieri i Egjiptit ndërhyri me vendosmëri.
Goli i avantazhit për Zelandën e Re erdhi menjëherë pas kësaj, kur në minutën pasuese Surman përfitoi nga një goditje nga këndi dhe me kokë e dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Më pas, Egjipti nisi të rritej gradualisht në lojë, duke kërkuar më shumë në sulm, sidomos nëpërmjet Mohamed Salah. Ylli i Liverpoolit pa një tentativë t’i ndalej, ndërsa më vonë provoi edhe nga një goditje dënimi, por pa arritur të ndryshonte rezultatin. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të Zelandës së Re.
Në pjesën e dytë, Egjipti u shfaq krejt ndryshe dhe mori në dorë frenat e ndeshjes. Në minutën e 59-të, Ziko riktheu baraspeshën me një goditje me kokë pas një aksioni të ndërtuar nga krahu i djathtë.
Vetëm nëntë minuta më pas erdhi edhe përmbysja. Kësaj radhe Ziko dha asistin, ndërsa Mohamed Salah e kontrolloi topin brenda zonës dhe me një goditje të saktë me të majtën shënoi për 2-1.
Goli që vulosi fitoren historike të Egjiptit u realizua në minutën e 82-të nga Mahmoud Trezeguet. Sulmuesi i aktivizuar nga stoli mbeti i pambuluar pas një harkimi nga këndi të Mohamed Salah dhe me kokë e çoi topin në rrjetë për rezultatin përfundimtar 3-1, duke i dhënë Egjiptit një triumf që do të mbetet përgjithmonë në historinë e futbollit egjiptian.
