Këtë të diel shënohen 27 vjet nga firmosja e marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së, dokument që përcaktonte me hollësi etapat e dorëzimit të armëve, përdorimin e uniformave, si edhe kalimin e një pjese të pjesëtarëve të saj në polici dhe në administratën publike.
Në këtë marrëveshje ishte parashikuar edhe krijimi i Ushtrisë së Kosovës sipas modelit të Gardës Kombëtare të SHBA-ve, duke pasur parasysh Marrëveshjen e Rambujesë.
Të lidhura
None found
Ky proces ishte planifikuar të zgjaste 90 ditë. Pas përfundimit të kësaj periudhe u realizua demilitarizimi i plotë i UÇK-së, ndërsa në shtator 1999 u nënshkrua marrëveshja për themelimin e TMK-së, jo si forcë ushtarake, siç parashihej fillimisht, por si një strukturë reaguese në raste katastrofash natyrore.
Nënshkruesit e marrëveshjes ishin Hashim Thaçi në cilësinë e kryekomandantit të UÇK-së, Agim Çeku si shef i shtabit të UÇK-së, ndërsa dokumenti u pranua nga gjenerallejtënanti Mike Jackson, komandant i KFOR-it.
Më poshtë publikohet teksti i plotë i marrëveshjes së arritur më 21 qershor 1999.
Teksti i plotë i dokumentit:
PËR DEMILITARIZIMIN E UÇK-së
Të dielën në mbrëmje u nënshkrua dokumenti për demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me firmat e Kryekomandantit të UÇK-së Hashim Thaçi, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Agim Çeku dhe komandantit të KFOR-it, gjenerallejtënantit Mike Jackson. Më poshtë paraqitet teksti i plotë i këtij dokumenti.
a) UÇK-ja përfshin tërë personelin brenda Kosovës, e që është nën kontroll të UÇK-së, me aftësi militare apo paramilitare dhe grupet e tjera apo individët të përcaktuar si të tillë nga Komandanti i KFOR-it.
UÇK-ja ka planifikuar të veprojë në përputhje me kushtet e përcaktuara në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe, në këtë kuadër, që komuniteti ndërkombëtar të marrë parasysh kontributin e saj gjatë krizës së Kosovës dhe mbi këtë bazë të shqyrtojë se:
a) Të pranojë se, derisa UÇK-ja dhe strukturat e saj janë në proces transformimi, ajo është e përkushtuar të propozojë pjesëtarë aktualë individualë për të marrë pjesë në forcat policore dhe në administrimin e Kosovës, duke iu dhënë rëndësi të posaçme përvojës së tyre.
b) Formimi i Ushtrisë së Kosovës në vijat e Gardës Kombëtare të SHBA-ve, si pjesë e procesit politik që do të duhet të vendosë për statusin e ardhshëm të Kosovës, duke marrë parasysh Marrëveshjen në Rambuje.
Iniciativa e demilitarizimit të UÇK-së
Kjo iniciativë parashikon armëpushimin e UÇK-së, mospërfshirjen e saj në zonat e konfliktit, demilitarizimin pasues dhe riintegrimin në jetën civile në përputhje me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, si edhe me obligimet e marra në Rambuje dhe zotimet publike të delegacionit shqiptar atje.
UÇK-ja merr përsipër të heqë dorë nga përdorimi i forcës, të zbatojë direktivat e Komandantit të forcës ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë (COMKFOR) dhe të zgjidhë në mënyrë paqësore të gjitha çështjet që lidhen me zbatimin e kësaj iniciative.
Po ashtu, UÇK-ja pranon që KFOR-i dhe prania ndërkombëtare civile të vendosen dhe të veprojnë pa pengesa në Kosovë dhe që KFOR-i të ketë autorizimin për të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për të krijuar dhe ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe për të përmbushur misionin e tij.
UÇK-ja pajtohet të zbatojë të gjitha detyrimet e kësaj iniciative dhe të sigurojë që, me efekt të menjëhershëm, të gjitha forcat e saj në Kosovë dhe në shtetet fqinje t’u përmbahen dispozitave të saj, të ndalojnë çdo akt armiqësor e provokues, çdo qëllim armiqësor dhe të ngrijnë të gjitha lëvizjet ushtarake, qoftë përgjatë kufijve ndërkombëtarë, qoftë përgjatë vijës ndërmjet Kosovës dhe pjesëve të tjera të RFJ-së, si dhe çdo veprim tjetër që nuk përputhet me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së.
UÇK-ja në Kosovë zotohet publikisht se do të demilitarizohet në pajtim me paragrafët 22 dhe 23, se do të përmbahet nga veprimtaritë që mund të rrezikojnë sigurinë e personelit ndërkombëtar qeveritar dhe joqeveritar, përfshirë KFOR-in, dhe se do të lehtësojë vendosjen dhe operacionet e KFOR-it.
Për qëllimet e kësaj iniciative, termat në vijim kanë këto kuptime:
a) UÇK-ja përfshin tërë personelin brenda Kosovës, e që është nën kontroll të UÇK-së, me aftësi militare apo paramilitare dhe grupet e tjera apo individët të përcaktuar si të tillë nga Komandanti i KFOR-it.
b) “Forcat e RFJ”-së përfshijnë tërë personelin e RFJ-së dhe të Republikës së Serbisë dhe organizatat me mundësi militare. Kjo përfshin ushtrinë e rregullt dhe forcat detare, grupet e armatosura civile, grupet paramilitare, forcat ajrore, gardat kombëtare, policinë kufitare, rezervistët ushtarakë, policinë ushtarake, shërbimet e inteligjencës, Ministrinë e Punëve të Brendshme, policinë speciale, lokale dhe antiterroriste dhe çdo grup apo individ që konsiderohet i tillë nga Komandanti i KFOR-it.
c) Zona Tokësore e Sigurisë (ZTS) përcaktohet si një zonë prej 5 kilometrash që shtrihet jashtë territorit të Kosovës, në vazhdim të territorit të RFJ-së. Në të përfshihet i gjithë terreni brenda këtyre 5 kilometrave.
d) Armë të ndaluara konsiderohen të gjitha armët e kalibrit 12.7 mm e mbi, çdo armë antitank apo antiajrore, granatat, minat apo eksplozivët dhe armët me tytë të gjatë.
Qëllimet e kësaj iniciative janë si më poshtë:
a) Vendosja e një ndërprerjeje të qëndrueshme të armiqësive.
b) Sigurimi i mbështetjes dhe autorizimit për KFOR-in që të ndërmarrë veprime të tilla dhe, në veçanti, ta autorizojë atë të ndërmarrë masa, përfshirë përdorimin e forcës së nevojshme, në përputhje me rregullat e KFOR-it, për të garantuar zbatimin e kësaj iniciative, mbrojtjen e KFOR-it dhe kontribuimin në një ambient të sigurt për praninë ndërkombëtare civile, implementuese dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, agjencitë, organizatat joqeveritare dhe popullsinë civile.
Veprimet e UÇK-së do të jenë në përputhje me këtë iniciativë.
Komandanti i KFOR-it, në bashkërendim sipas nevojës me administratorin civil të përkohshëm, do të jetë autoriteti më i lartë për interpretimin e kësaj iniciative dhe të aspekteve të sigurisë të marrëveshjes paqësore që e mbështet atë. Vendimet e tij do të jenë të detyrueshme për të gjitha palët dhe personat.
Ndalja e armiqësive
Menjëherë pas nënshkrimit, UÇK-ja pajtohet të veprojë sipas kësaj iniciative dhe direktivave të COMKFOR-it. Të gjitha forcat që nuk bashkëpunojnë në bazë të kësaj iniciative apo me urdhrat e COMKFOR-it, do të privohen nga mundësia për aksion ushtarak, sipas përcaktimit të COMKFOR-it.
Me nënshkrimin e kësaj iniciative, të gjitha aktet armiqësore të UÇK-së do të ndalen. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së merr përsipër të japë udhëzime të sakta dhe të qarta për të gjitha njësitet dhe personelin nën komandën e tij, me qëllim që të shmanget kontakti me forcat e RFJ-së dhe të zbatohen të gjitha pikat e kësaj marrëveshjeje. Ai do t’i shpallë vendimet e tij menjëherë pas nënshkrimit përfundimtar të iniciativës dhe ato do të transmetohen përmes të gjitha kanaleve të nevojshme, në mënyrë që përmbajtja e saj t’u arrijë të gjitha forcave nën komandën e tij dhe të kuptohet nga opinioni i gjerë.
UÇK-ja merr përsipër dhe pajtohet në veçanti:
a) të ndalojë qitjet nga të gjitha armët dhe shpërthimet e mjeteve eksplozive.
b) të mos vendosë barriera apo postblloqe, mina, karakolle vëzhguese apo pengesa mbrojtëse.
c) shkatërrimi i ndërtesave, mjeteve ndihmëse apo strukturave nuk lejohet. Ajo nuk do të angazhohet në asnjë veprimtari ushtarake, sigurie apo stërvitjeje, përfshirë operacionet ajrore dhe tokësore në ose mbi Kosovë apo në ZTS, pa miratimin paraprak të COMKFOR-it.
d) të mos sulmojë, arrestojë apo marrë në pyetje asnjë civil në Kosovë dhe të mos sulmojë, konfiskojë apo cenojë pronën e civilëve në Kosovë.
UÇK-ja pajtohet të mos ndërmarrë kundërsulme, reprezalje apo ndonjë veprim unilateral si përgjigje ndaj RKSOKB 1244 dhe marrëveshjeve të tjera që lidhen me Kosovën. Kjo, megjithatë, nuk e mohon të drejtën për vetëmbrojtje.
UÇK-ja pajtohet gjithashtu të mos ndërhyjë ndaj personelit të RFJ-së që do të rikthehet në Kosovë për të kryer detyra të veçanta, me autorizim dhe nën drejtimin e COMKFOR-it.
Përveç rasteve me miratim të COMKFOR-it, UÇK-ja pranon që personeli i saj të mos mbajë armë të asnjë lloji:
a) Dy kilometra nga rajonet ku janë të vendosur UJ-ja apo MPB-ja
b) Dy kilometra nga rrugët kryesore apo në qytetet e shënuara në apendiksin A
c) Dy kilometra nga kufijtë e Kosovës
d) Në asnjë rajon për të cilin kërkon COMKFOR-i
Brenda katër ditëve nga nënshkrimi i kësaj iniciative:
a) UÇK-ja do t’i mbyllë të gjitha pozitat luftarake, fortifikimet dhe postërojat në rrugë dhe do të shënojë minat dhe minat e befasisë që ka vendosur vetë.
b) Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së do t’i raportojë me shkrim COMKFOR-it për kërkesat e mësipërme dhe do të vazhdojë të paraqesë raporte të detajuara çdo javë deri në përfundim të demilitarizimit.
Aktivitetet e kufirit
Menjëherë, UÇK-ja do të ndalojë lëvizjet e personave të armatosur nëpër shtetet fqinje. Çdo lëvizje e personave të armatosur në Kosovë do të bëhet vetëm me miratimin paraprak të COMKFOR-it.
Monitorimi dhe ndërprerja e armiqësive
Autoritetin për zbatimin e pikave të kësaj iniciative e ka COMKFOR-i. Ai do të monitorojë, ruajë dhe, nëse është e nevojshme, do ta imponojë me forcë ndërprerjen e armiqësive.
UÇK-ja pajtohet të bashkëpunojë plotësisht me KFOR-in dhe administratën e përkohshme civile në Kosovë. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së do të sigurojë që të merren masat e duhura për trajtimin e pikave të kësaj iniciative nga forcat e tij, në përputhje me direktivat e COMKFOR-it.
Elementet e KFOR-it do të përzgjidhen për të mbajtur kontakte me UÇK-në dhe do të vendosen në strukturat e saj komanduese dhe në bazat e saj.
KFOR-i do të vendosë kontrollin e duhur në pikat e caktuara të kalimit me Shqipërinë dhe IRJM-në.
Komisioni i Përbashkët i Implementimit (KPI)
Një KPI do të krijohet në Prishtinë brenda katër ditëve nga nënshkrimi i iniciativës. Ai do të drejtohet nga COMKFOR-i dhe do të përbëhet nga komandantë të lartë të KFOR-it dhe UÇK-së, si edhe nga një përfaqësues i administratës civile ndërkombëtare në Kosovë.
KPI-ja do të mblidhet aq shpesh sa të jetë e nevojshme me COMKFOR-in gjatë zbatimit të iniciativës. Ajo mund të thirret edhe pa paralajmërim paraprak dhe përfaqësimi i UÇK-së pritet të jetë në nivelin dhe rangun e kryesuesit të KFOR-it. Funksionet e saj do të jenë:
a) Sigurimi i bashkëpunimit me aranzhimet për të cilat është arritur pajtimi për sigurinë dhe aktivitetet e të gjitha forcave;
b) Hetimi i pikave aktuale apo të kërcënuara të kësaj iniciative;
c) Detyra të tjera që mund t’i përcaktojë COMKFOR-i me qëllim ruajtjen e ndërprerjes së armiqësive.
Demilitarizimi dhe transformimi
UÇK-ja do të ndjekë procedurat e vendosura nga COMKFOR-i për demilitarizimin hap pas hapi, transformimin dhe monitorimin e saj në Kosovë, si edhe për rregullimin e aktiviteteve të tjera të saj. Ajo nuk do të organizojë apo zhvillojë parakalime pa autorizimin e COMKFOR-it.
UÇK-ja pajtohet me këtë kalendar që nis nga momenti i nënshkrimit të iniciativës:
a) Brenda shtatë ditësh, UÇK-ja do të krijojë depo të sigurta armësh, të cilat do të regjistrohen bashkërisht dhe do të verifikohen nga KFOR-i.
b) Brenda shtatë ditësh, UÇK-ja do të pastrojë pozicionet e minave dhe minave të befasisë të vendosura prej saj, do të lëshojë pozitat luftarake dhe do të zhvendoset në vende për të cilat pajtohet me COMKFOR-in dhe KPI-në. Pas kësaj, vetëm personeli i autorizuar nga COMKFOR-i dhe zyrtarët e lartë të UÇK-së, së bashku me personelin e tyre të afërt mbrojtës, numri i të cilëve nuk do të kalojë treshin dhe që mbajnë vetëm armë brezi, do të lejohen të dalin jashtë këtyre vendeve të caktuara.
c) Shtatë ditë më pas, armët e vogla automatike që nuk janë vendosur në depot e regjistruara mund të mbahen vetëm brenda vendeve të autorizuara.
d) Pas 29 ditësh, mbajtja e çdo arme me tytë të gjatë, që nuk është pushkë automatike, do të jetë çështje e COMKFOR-it.
e) Brenda 30 ditësh, subjekt i aranzhimeve të COMKFOR-it në rast nevoje, i gjithë personeli i UÇK-së me origjinë jo lokale, pavarësisht nëse ndodhet ligjërisht në Kosovë apo jo, përfshirë këshilltarët, luftëtarët e lirisë, stërvitësit, vullnetarët dhe personelin nga shtetet fqinje dhe shtetet e tjera, do të tërhiqet nga Kosova.
f) Këto janë aranzhimet për kontrollin e armëve:
(1) Brenda 30 ditësh, UÇK-ja do të vendosë në depot e regjistruara të armëve të gjitha armët e ndaluara, me përjashtim të armëve të vogla automatike. Po ashtu, 30 për qind e numrit të përgjithshëm të këtyre armëve do të vendoset në depo. Municioni për armët e tjera do të tërhiqet dhe do të vendoset në vende të caktuara nga COMKFOR-i, veçmas nga vendet e caktuara.
(2) Në ditën e 30-të, për personelin e UÇK-së do të ndalohet mbajtja e armëve të ndaluara, me përjashtim të armëve automatike, në vendet e caktuara dhe do të ndalohet gjithashtu mbajtja e armëve me tytë të gjatë. Këto armë do të konfiskohen nga KFOR-i.
(3) Brenda 30 ditësh, edhe 30 për qind e armëve të vogla automatike do të vendosen në depot e regjistruara të armëve, duke e çuar kështu në 60 për qind numrin e armëve që ka UÇK-ja të depozituara.
(4) Brenda 90 ditësh, të gjitha armët automatike do të vendosen në depot e regjistruara të armëve. Pas kësaj, mbajtja e tyre nga pjesëtarët e UÇK-së do të jetë e ndaluar dhe ato do të konfiskohen nga KFOR-i.
g) Nga dita e 30-të deri në ditën e 90-të, depot e armatimit do të jenë nën kontroll të përbashkët të UÇK-së dhe KFOR-it, sipas procedurave të miratuara nga COMKFOR në KPI. Pas 90 ditësh, KFOR-i do të marrë kontrollin e plotë të këtyre depove.
h) Brenda 90 ditësh, të gjitha forcat e UÇK-së do të kenë përfunduar procesin e demilitarizimit dhe do të ndalojnë veshjen e uniformave ushtarake dhe mbajtjen e shenjave të UÇK-së.
i) Brenda 90 ditësh, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së do të konfirmojë përmbushjen e kërkesave të parashtruara dhe do t’ia dorëzojë atë me shkrim COMKFOR-it.
Dispozitat e kësaj iniciative hyjnë në fuqi menjëherë me nënshkrimin e saj nga përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës.
UÇK-ja ka planifikuar të veprojë në përputhje me kushtet e përcaktuara në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe, në këtë kuadër, që komuniteti ndërkombëtar të marrë parasysh kontributin e saj gjatë krizës së Kosovës dhe mbi këtë bazë të marrë në konsideratë se:
a) Të pranojë se, derisa UÇK-ja dhe strukturat e saj janë në proces transformimi, ajo është e zotuar të propozojë pjesëtarë aktualë individualë për të marrë pjesë në forcat policore dhe të administrimit në Kosovë, duke gëzuar konsideratë të posaçme për përvojën që kanë zhvilluar.
b) Formimi i Ushtrisë së Kosovës në vijat e Gardës Kombëtare të SHBA-ve, si pjesë e procesit politik që do të duhet të vendosë për statusin e Kosovës në ardhmëri, duke marrë parasysh Marrëveshjen në Rambuje.
Kjo iniciativë është hartuar në gjuhën angleze dhe shqipe dhe, në rast paqartësie në kuptimin e drejtë të tekstit, versioni në gjuhën angleze ka përparësi.
Ofruar nga Hashim Thaçi,
Kryekomandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Pranuar nga gjenerallejtënant Mike Jackson,
Komandant i KFOR-it
21 qershor 1999
Rrugët:
1) Pejë-Llapushnik-Prishtinë
2) Kufi-Gjakovë-Klinë
3) Kufi-Prizren-Suharekë-Prishtinë
4) Gjakovë-Rahovec-Llapushnik-Prishtinë
5) Pejë-Gjakovë-Prizren-Ferizaj-Kufi
6) Kufi-Ferizaj-Prishtinë-Podujevë-Kufi
7) Prishtinë-Mitrovicë-Kufi
8) Mitrovicë-Rakosh-Pejë
9) Pejë-Kufiri me Malin e Zi(nëpërmjet Rozhajës)
10) Prishtinë-Lisicë-Kufiri me Serbinë
11) Prishtinë-Gjilan-Ferizaj
12) Gjilan-Tërnoc i Madh-Kufiri me Serbinë;
13) Prizren-Doganoviqi.
