Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka reaguar me indinjatë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke vlerësuar se ngjarja e rëndë nxjerr sërish në pah paaftësinë e vazhdueshme të institucioneve për ta trajtuar seriozisht dhunën në familje.
Sipas GLPS-së, fakti që prokuroria dhe policia ishin në dijeni për rrezikun ndaj jetës së Arlinda Zekajt, por nuk ndërmorën masa për ta mbrojtur, përbën një dështim të rëndë institucional.
Të lidhura
None found
“Mbrojtja e jetës së grave nuk është çështje vullneti, prioriteti të përkohshëm apo deklaratash publike por detyrim themelor i shtetit. Kur ky detyrim nuk përmbushet, institucionet duhet të japin llogari dhe të bartin pasojat përfshirë edhe penale. Asnjë dështim institucional nuk duhet të relativizohet, të mbulohet apo të mbetet pa pasoja”.
Organizata ka bërë të ditur se, bazuar në të dhënat e saj për seancat gjyqësore në rastet e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, gjatë periudhës janar-shtator 2026 janë regjistruar 957 gra viktima të dhunës.
“Këto shifra alarmante dëshmojnë përmasat shqetësuese të dhunës ndaj grave dhe urgjencën e reagimit institucional. Këto të dhëna nuk mund të trajtohen thjesht si statistika, por si një sinjal serioz se parandalimi i dhunës dhe mbrojtja e grave kërkojnë veprime të menjëhershme. Parandalimi dhe trajtimi i vrasjes së grave është dhe duhet të shihet si urgjencë kombëtare”.
GLPS kërkon që rasti të hetohet në mënyrë të plotë dhe që të përcaktohen përgjegjësitë konkrete për vrasjen e Arlinda Zekajt, si dhe për çdo mosveprim institucional që mund të ketë ndikuar në këtë tragjedi.
“Kur institucionet dështojnë të garantojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve, ato dështojnë në përmbushjen e detyrimit të tyre më themelor dhe minojnë besimin e qytetarëve ndaj shtetit ligjor”.
Arlinda Zekaj u vra mbrëmë në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, i cili është shpallur në kërkim nga policia. Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Pejë deklaroi sot se rasti ishte trajtuar me kohë dhe se të gjitha institucionet përkatëse ishin informuar në kohën e duhur.





