Dëshmori Hajdar Pepaj, i cili për vite me radhë figuronte në listën e personave të zhdukur, do të rivarroset sot.
Sipas njoftimit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, pas identifikimit të bërë përmes analizës shkencore të ADN-së dhe në përputhje me kërkesën e familjes, më 21 qershor 2026 do të kryhet rivarrimi i mbetjeve mortore të Hajdar Pepajt.
Të lidhura
None found
Ceremonia e rivarrimit është paraparë të zhvillohet në varrezat e fshatit Kodrali të Deçanit, duke nisur nga ora 16:00.
Në njoftim thuhet gjithashtu se para ceremonisë së varrimit, nga ora 15:00, do të mbahen homazhe te “Lapidari i Ri” në fshatin Kodrali të Deçanit.
Sipas të njëjtit njoftim, organizimin e ceremonisë së rivarrimit e bëjnë Shoqatat e dala nga lufta – Dega në Deçan dhe Komuna e Deçanit, me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i ka shprehur familjes Pepaj ngushëllimet më të sinqerta, duke ritheksuar njëherësh përkushtimin institucional për të vazhduar angazhimin në zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.
