Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara, CENTCOM, bëri të ditur se qarkullimi tregtar nëpër Ngushticën e Hormuzit është në rritje, duke rrëzuar në mënyrë të tërthortë pretendimet e Iranit se kjo arterie detare strategjike ishte mbyllur.
Sipas deklaratës së saj, lundrimi përgjatë këtij korridori ndërkombëtar ka vijuar normalisht. Vetëm sot, nga Ngushtica kanë kaluar 55 anije tregtare, të cilat kanë transportuar sasi të konsiderueshme mallrash dhe më shumë se 17 milionë fuçi nafte drejt tregjeve ndërkombëtare.
Të lidhura
None found
CENTCOM nënvizon gjithashtu se forcat amerikane mbeten “të pranishme dhe në gatishmëri” për të siguruar lirinë e lundrimit dhe zbatimin e marrëveshjeve përkatëse në rajon.
Ky reagim i komandës amerikane erdhi menjëherë pasi Irani deklaroi se Ngushtica e Hormuzit ishte mbyllur, duke e arsyetuar këtë me ato që i quan “veprime kriminale” të Izraelit në Liban, si edhe me shkelje të armëpushimeve nga Shtetet e Bashkuara.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një ndër rrugët energjetike më të rëndësishme në botë, pasi përmes saj kalon një pjesë e madhe e eksporteve globale të naftës. Për këtë arsye, çdo përshkallëzim tensioni në këtë zonë ndikon drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
