Thomas Tuchel, përzgjedhësi i Anglisë, u shpreh me vlerësime të larta për Kroacinë në konferencën për shtyp para ndeshjes hapëse të Grupit L në Kupën e Botës, që luhet të mërkurën në mbrëmje në Dallas.
Sipas teknikut gjerman, përfaqësuesja kroate mbetet një rival shumë i fortë, falë eksperiencës së futbollistëve dhe nivelit të lartë që vazhdon të ketë skuadra e drejtuar nga Zlatko Dalic.
Të lidhura
None found
“Mendoj se është e qartë se ata ende e kanë bërthamën e ekipit në mesfushë me Mateo Kovacic dhe Luka Modric. Gjërat kanë ndryshuar pak, pasi mund të luajnë edhe me tre mbrojtës, por kanë një repart defensivë shumë të fortë dhe zemra e ekipit mbetet mesfusha”, deklaroi Tuchel.
Ai nënvizoi gjithashtu se Kroacia vazhdon të jetë një nga ekipet kombëtare më të vështira për t’u përballur në kompeticionet madhore.
“Ata kanë përvojë të madhe në turne, një trajner shumë të përvojë dhe tradicionalisht një ekip kombëtar shumë të fortë. Kjo është sfida që na pret. Duhet të jemi të mirë në presion, të marrim iniciativën dhe të tregojmë cilësitë tona nëse duam të fitojmë”, theksoi ai.
Trajneri i Anglisë komentoi edhe dëmtimin e Tino Livramentos, i cili ka lënë grumbullimin e kombëtares.
“Ai ishte shumë i zhgënjyer. Menjëherë e ndjeu se bëhej fjalë për një dëmtim serioz. Pas ekzaminimeve u konfirmua se mund të mungojë katër deri në pesë javë, prandaj u detyruam ta dërgojmë në shtëpi. Ishte një lojtar shumë i rëndësishëm për ne”, tha trajneri anglez.
Sa i takon atmosferës në skuadër përpara takimit, Tuchel dha sinjale pozitive dhe u shfaq besimplotë.
“Jam i emocionuar. Këto 16 ditë kanë kaluar shumë shpejt. Tani që kemi mbërritur në qytetin ku do të luajmë, ndiejmë emocionin dhe tensionin e garës. Kam ndjesinë se jemi gati dhe mezi presim të zbresim në fushë”, përfundoi ai.
Përballja mes Anglisë dhe Kroacisë luhet të mërkurën në orën 22:00 dhe shihet si një nga ndeshjet më tërheqëse të raundit të parë në Kupën e Botës.
