Nga mesnata kanë hyrë në fuqi çmimet e reja të karburanteve në Maqedoni, me rritje për benzinën dhe dizelin. Benzina BS-95 është shtrenjtuar me një denarë e gjysmë dhe tani kushton 87,5 denarë për litër, ndërsa benzina 98-oktane është rritur me dy denarë, duke arritur në 90 denarë. Edhe dizeli ka pësuar një rritje të lehtë prej gjysmë denari dhe do të tregtohet me 87,5 denarë për litër.
Në të njëjtën kohë, mbrëmë në mesnatë përfunduan masat për karburantet, çka nënkupton se në llogaritjen e çmimeve të reja janë përfshirë akcizat standarde prej 22 denarë për benzinën dhe 15,5 denarë për dizelin.
Të lidhura
None found
Lidhur me këtë vendim, kryeministri Hristijan Mickoski tha se përcaktimi i djeshëm i Komisionit Rregullator është mbështetur te çmimet e bursës nga java e kaluar. Sipas tij, gjatë javës së ardhshme pritet të ketë një ulje të ndjeshme të çmimeve të karburanteve.
“Edhe më tej mbetemi vendi që ka çmimin më të ulët të benzinës dhe dizelit në rajon. Kjo ndjehet veçanërisht këtu në Manastir. Ka pika karburanti ku qarkullimi është rritur për rreth 50 për qind nga ana e qytetarëve të fqinjit tonë jugor. Kështu që, ja, ne këta tre muaj, do të thosha, i përballuam mjaft me dinjitet. Në asnjë moment nuk lejuam të kemi asnjë lloj restrikcioni në pikat e karburantit, nuk e kufizuam eksportin, përkundrazi, i hapëm portat tona që qytetarët nga vendet fqinje të mbushin karburant edhe te ne. Siguruam sasi të mjaftueshme të karburantit. Për gjysmë euro në mesatare për litër, karburantet tona ishin më të lira se ato të fqinjëve”, tha Mickoski.
Në tregjet botërore, çmimet e naftës bruto kanë regjistruar rënie të ndjeshme pas arritjes së një marrëveshjeje mes SHBA-ve dhe Iranit. Aktualisht, nafta e tipit “Brent” po tregtohet me rreth 83 dollarë për fuçi.
Megjithëse lajmi për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit u prit me optimizëm të lartë nga tregjet, niveli i tanishëm i çmimeve mbetet ende dukshëm më i lartë krahasuar me periudhën para luftës, kur nafta tregtohej rreth 70 dollarë./INA/

