Gjyqtari Erjon Bani: Pasuria e paligjshme e konfiskuar nuk humbet, por përdoret për qëllime publike, dy mesazhet që marrin qytetarët

Në përurimin e ambienteve të reja të GJKKO, kryetari në detyrë i këtij institucioni, Erjon Bani, tha se besimi tek drejtësia nuk ndërtohet vetëm më vendime, por edhe kur qytetari sheh që pasuritë e konfiskuara nuk mbeten në duart e krimit.

Në fjalën e tij, Bani deklaroi se këto pasuri përdoren për qëllime të dobishme publike, ndërsa theksoi se në këtë rast qytetarit marrin dy mesazhe: E para shteti është i aftë të godasë përfitimin e paligjshëm dhe së dyti shteti është i aftë ta kthejë atë vlerë në shërbim për shoqërinë.

“Besimi tek drejtësia nuk ndërtohet vetëm me vendime gjyqësore, por ndërtohet kur qytetari sheh se pasuria e paligjshme nuk humbet, nuk shpërdorohet dhe nuk mbetet pa destinacion, por përdoret për qëllime të dobishme publike. Kur fondet që rrjedhin nga pasuritë e konfiskuara përdoren për të modernizuar gjykatat qytetari merr një mesazh të dyfishtë. Së pari shteti është i aftë të godasë përfitimin e paligjshëm dhe së dyti shteti është i aftë ta kthejë atë vlerë në shërbim për shoqërinë”, tha Bani.

Më tej ai u shpreh se ky investim tregon se shteti i së drejtës di ta kthejë paligjshmërinë në vlerë publike.

“Ky transformim është fillimi i një standardi të ri, jo fundi i një projekti. Drejtësia matet me mënyrën se si qytetari pritet, dëgjohet dhe trajtohet”, theksoi kryetari i GJKKO Bani.


Shtuar 11.05.2026 11:24