Kriza në Lindjen e Mesme mbetet e ndezur, negociatat vijojnë, por me më pak shpresa për marrëveshje SHBA-Iran pas “jo”-së së Trumpit

Kriza në Lindjen e Mesme mbetet e ndezur, ndërsa përpjekjet për një zgjidhje diplomatike vazhdojnë, por me gjithnjë e më pak optimizëm pas refuzimit të fundit nga presidenti amerikan, Donald Trump, ndaj propozimit paqësor të Iranit.

Në një intervistë për median izraelite, Trump e cilësoi ofertën e re 14-pikëshe të Teheranit si “të papranueshme”, duke theksuar se e ka shqyrtuar në detaje dhe nuk e konsideron në interes të Shteteve të Bashkuara. Ai shtoi se, megjithëse Irani kërkon marrëveshje, propozimi aktual nuk përmbush kushtet e Uashingtonit.

Të lidhura

None found

Megjithatë, sinjale për vazhdim të dialogut ka dhënë i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, i cili deklaroi se kontaktet me Iranin nuk janë ndërprerë dhe se palët vijojnë të jenë në diskutime.

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane bëjnë të ditur se kanë marrë përgjigjen e SHBA-së për propozimin e tyre dhe janë duke e shqyrtuar atë. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei, sqaroi se aktualisht nuk ka negociata për programin bërthamor dhe se plani i paraqitur fokusohet vetëm në përfundimin e luftës, jo në një armëpushim të përkohshëm.

Sipas burimeve ndërkombëtare, propozimi i Iranit synon mbylljen e konfliktit brenda 30 ditësh, duke refuzuar idenë e një armëpushimi dy mujor dhe duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme të çështjeve kryesore.

Ndërkohë, në Izrael dhe SHBA vlerësohet se shanset për një marrëveshje janë të ulëta, për shkak të mospajtimeve të thella, veçanërisht mbi kërkesën amerikane që Irani të heqë dorë nga uraniumi i pasuruar që në fazën e parë të çdo marrëveshjeje.

Në sfondin e këtyre zhvillimeve, ndikimi ekonomik i konfliktit po bëhet gjithnjë e më i dukshëm. Çmimet e karburanteve në SHBA kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke u rritur me afro 50% që nga fillimi i konfliktit, një faktor që shton presionin politik mbi administratën amerikane.

Pavarësisht tensioneve dhe retorikës së ashpër, fakti që kanalet e komunikimit mbeten të hapura lë ende një dritare të vogël për diplomacinë, edhe pse perspektiva për një zgjidhje të shpejtë duket e zbehtë.


Shtuar 3.05.2026 23:35