Tërheqja e 5 mijë trupave amerikanë nga Gjermania, Merz: Është pak vendim i ekzagjeruar, por nuk është diçka e re

Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se vendimi i SHBA-së për të tërhequr trupat nga Gjermania “nuk është i lidhur” me kritikat e tij ndaj Donald Trump.

Ai theksoi gjithashtu se, “për momentin”, nuk pritet vendosja e raketave amerikane Tomahawk në territorin gjerman.

Të lidhura

None found

Njoftimi i Pentagonit për tërheqjen e 5,000 trupave nga bazat në Gjermani “nuk është i ri”, tha Merz, duke shtuar se “ndoshta është pak i ekzagjeruar, por nuk është i ri”. Ai hodhi poshtë spekulimet se ky vendim lidhet me qëndrimet e tij kritike ndaj luftës në Iran. “Nuk ka lidhje”, theksoi ai, duke përsëritur kritikat ndaj strategjisë së SHBA-së: “Nëse doni që ne t’ju ndihmojmë në një konflikt të tillë, na telefononi paraprakisht dhe na pyesni”, u shpreh kancelari, ndërsa mbrojti edhe deklaratën e tij se Irani po “poshtëron” SHBA-në.

Merz theksoi se nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet transatlantike.

“Nuk po heq dorë nga bashkëpunimi me Donald Trump”, tha ai, duke pranuar se presidenti amerikan ka një qasje të ndryshme. “Megjithatë, kjo nuk e ndryshon faktin se amerikanët mbeten partnerët tanë më të rëndësishëm në Aleancën e Atlantikut të Veriut”, shtoi Merz.

I pyetur për vendosjen e raketave amerikane Tomahawk në Gjermani, siç ishte premtuar nga ish-presidenti amerikan Joe Biden në vitin 2024, me synimin për të forcuar aftësitë parandaluese derisa Evropa të zhvillojë kapacitetet e veta, Merz u shpreh se aktualisht kjo nuk është e mundur.

“Amerikanët nuk kanë mjaftueshëm tani dhe, objektivisht, ka shumë pak gjasa që SHBA-të të dorëzojnë sisteme të tilla armësh. Por nuk është ende tepër vonë”, tha ai. Në të njëjtën kohë, ai siguroi se “nuk ka asnjë kufizim në angazhimin amerikan për parandalimin bërthamor në territorin e NATO-s”.


Shtuar 3.05.2026 22:41

Tags: ,