Të shtëna me armë zjarri janë raportuar shumë pranë Shtëpisë së Bardhë në orët e natës, duke vënë në lëvizje menjëherë autoritetet amerikane. Sipas raportimeve të mediave të huaja, Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara ka nisur një hetim për incidentin e ndodhur pranë Parkut Lafayette, zonë që ndodhet përballë rezidencës presidenciale.
Sipas burimeve zyrtare, nuk janë raportuar persona të lënduar, ndërsa pas një kontrolli të imtësishëm në park dhe në zonën përreth, autoritetet nuk kanë arritur të identifikojnë asnjë të dyshuar. Agjencia bëri të ditur përmes një njoftimi online se kontrollet janë zhvilluar menjëherë pas mesnatës.
Të lidhura
None found
Mediat ndërkombëtare, përfshirë “The Guardian”, raportojnë se në momentin e incidentit, presidenti Donald Trump ndodhej në Shtëpinë e Bardhë, ku po kalonte fundjavën. Nga ana e rezidencës presidenciale nuk pati një reagim të menjëhershëm lidhur me ngjarjen.
Megjithatë, autoritetet theksuan se operacionet në Shtëpinë e Bardhë kanë vijuar normalisht, ndërsa masat e sigurisë në zonë janë shtuar ndjeshëm si masë paraprake.
Parku Lafayette, ku u raportuan të shtënat, ka qenë i rrethuar me gardh prej disa javësh për shkak të punimeve rinovuese.
Shërbimi Sekret bëri të ditur se po bashkëpunon ngushtë me Policinë e Distriktit të Kolumbias dhe Policinë e Parkut të SHBA-së për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit.
