“Rama, 13 vite në pushtet, prap fajin e ka Saliu?” Paloka për zgjedhjet në PD dhe Salianjin: S’mund të kandidojë kushdo, ka kritere dhe një Kryesi që selekton

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, deputeti Edi Paloka, komentoi sot jo vetëm zhvillimet politike në kampin e mazhorancës, por edhe brenda selisë blu, veçanërisht përjashtimet dhe gara e kandidatëve, mes tyre edhe ish-deputetin Ervin Salianji.

Në një lidhje me studion e “News24”, ligjvënësi opozitar mohoi se ka zëra kundër brenda partisë apo përjashtime për mendime ndryshe.

Të lidhura

None found

“Nuk ka asnjë përjashtim për mendime kundër apo zëra kundër. Unë jam për bashkim, jo për përjashtim. Në PD nuk ka asgjë hermetike. Por gjithçka kalon nëpërmjet strukturave”, u shpreh ai.

Edi Paloka theksoi se çdo organizatë politike ka rregulla që duhet të respektohen dhe se edhe në statutin e PD-së parashikohen raste për përjashtimin e anëtarëve, duke shtuar se këto çështje nuk duhen trajtuar në mënyrë subjektive.

“Ka zgjedhje në PS, a pyetet atje për zgjedhjet që bëhen në parti. Unë jam i PD-së dhe ju më pyesni për zgjedhjet në parti. Pra atje janë të mbyllura. Në PD gara sa ka filluar, nuk e dimë ende se kush ka aspirata. Ka disa kritere, ka një proces gara, se nuk mund të kandidojë kushdo. Mund të jesh anëtar i PD-së dhe të mos kandidosh dot, ka hapa të tjerë në vazhdim, verifikohen emrat, kandidaturat, ka kritere”, vijoi ai.

Dhe më tej shtoi: “Nëse ka diçka që e dallon PD, është pikërisht debati. Nuk kemi pasur kurrë diçka hermetike”.

I pyetur nëse Ervin Salianji do të lejohet të kandidojë për kryetar të PD-së, Paloka u shpreh se procesi ende nuk ka nisur dhe se kandidaturat do të kalojnë përmes filtrit të kritereve dhe strukturave të partisë. Por tha se mund të jesh anëtar i PD-së dhe të mos kandidosh dot, sepse nuk plotëson kriteret.

“Gara nuk ka filluar akoma. Nuk mund të kandidojë kushdo. Ka kritere dhe një kryesi që selekton kandidaturat. Në fund do të shihet kush do të jetë në garë. E thashë, ka kritere, ka rregulla, ka një Kryesi që kontrollon figurat dhe më pas vendos”, u shpreh deputeti demokrat.

Paloka komentoi edhe protestat e PD-së, strategjinë, taktikat, sa do zgjasin ato dhe qëllimin.

Për deputetin e vetmja rrugë që i ka mbetur opozitës janë protestat e fuqishme deri në rrëzimin e diktaturës që ka vendosur Rama dhe se sa do zgjasnin ato nuk mund ta përcaktonte dot.

“Protestat janë mënyrë e detyruar e PD-së. Ka strategji dhe taktika, do shqyrtohen të gjitha. Pavarësisht formave dhe mënyrave se si do zhvillohet është çështje tjetër por forma e vetme e opozitës për t’u përballur. Rama e ka treguar se nuk ka ndërmend të bëjë zgjedhje të lira në këtë vend. Kjo është mënyra e vetme edhe për qëllimin që kemi. Sa do të zgjasin ato, unë nuk e di, por do shihet më tej, tha ai.

Duke folur për propagandën dhe taktikat qeverisëse, ai komentoi se:

“Ne jemi në diktaturë. Rama ka 13 vite që thotë fajin e ka Saliu. Ka 13 vite që qeveris vetë dhe pas kaq kohësh përsëri fajin e paska Saliu. Ai i përdor të gjitha mënyrat dhe frika në këtë diktaturë te qytetarët është e pranueshme, e kuptueshme. Pra ne jemi në diktaturë. Nuk të pëlqen PD-ja, dil në protestat e të tjerëve, protesto te Adriatik Lapaj dhe të tjerët”.

Por a do të kandidojë përsëri Paloka për postin e kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD-së?

“Nuk e di, jam duke e menduar garën dhe kandidimin për postin e kryetarit të Këshillit Kombëtar. Nuk e kam vendosur akoma, por edhe mund të mos kandidoj”, u shpreh deputeti opozitar.


Shtuar 31.03.2026 16:40