Hetimet për skandalin e AKSHI-t/ SPAK ushtron kontrolle edhe në një vilë në Qerret dhe dy banesa të tjera, dyshohet se janë pasuri të fshehura të Mirlinda Karçanajt

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka vijuar kontrollet Në kuadër të hetimeve për skandalin e AKSHI-t, ku të pandehurit akuzohen se kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal, me pengmarrje dhe paracaktim të tenderave publikë.

Gazetarja Klodiana Lala, raporton se Prokuroria e Posaçme, ka zbuluar një vilë në Qerret të Kavajës dhe dy banesa të tjera që dyshohet se janë pasuri të fshehura të ish drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

Të lidhura

None found

Kryeministri Edi Rama, ka mbrojtur publikisht më herët Karçanajn duke deklaruar se jeton në një banesë me qira, por SPAK thekson se në fakt ajo zotëron pasuri që janë përftuar nga aktiviteti kriminal.

Po ashtu, nga hetimet e SPAK është zbuluar një apartament që dyshohet se është pasuri e fshehur e ish zëvendës drejtoreshës së AKSHI-t, Hava Delibashi, e akuzuar gjithashtu nga Prokuroria e Posaçme, dhe e cila u la pak ditë më parë nga Gjykata e Posaçme në detyrim paraqitje duke i ndryshuar arresti në shtëpi për shkak se është shtatzënë.

Kontrollet vijnë një ditë pas atyre të kryera në dy vila në Palasë të dy biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.

Gazetarja Klodiana Lala, raportoi më herët se vila e Beqirit, në të cilën u nënshtrua kontroll, është e regjistruar në pronësi të prindërve të Mirlinda Karçanajt, dhe prindërit e kësaj të fundit ia kishin dhënë me qira biznesmenit.

Gazetarja tha se krahas hetimit për AKSHI-n, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, ka nisur ndaj këtyre personave edhe hetimi pasuror. Ajo theksoi se kontrollet kanë vijuar për rreth 8 orë dhe se nga aty janë marrë pajisje dhe të dhëna me interes për hetimin.

Kujtojmë se Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri janë në kërkim nga SPAK, ndërsa akuzohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kishte për qëllim përvetësimin e tenderave të agjencisë.

Ish-drejtuesja Mirlinda Karçanaj është lënë në arrest shtëpie, ndërsa Hava Delivashit iu ndryshua kjo masë duke e lënë në “detyrim paraqitje”.

I përfshirë në skemë dyshohet edhe Erion Ismaili, zv.drejtor për hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës, ndaj të cilit gjykata ka vendosur “pezullim nga detyra” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”.

Po ashtu të akuzuar janë dhe Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta, tre biznesmenë ndaj të cilëve është vendosur masë sigurimi “ndalim për të dalë jashtë vendit”. Të tre këta persona, akuzohen se morën pjesë në skemën e manipulimit të tenderave duke lëshuar fatura fiktive apo marrë pjesë fiktivisht në garat e zhvilluara.


Shtuar 31.03.2026 15:11