Një bandë kriminale shqiptare me bazë në Londër, përdorte stacionet e M25 për të transportuar emigrantë shqiptarë që hynin ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas policisë britanike tre anëtarë të grupit, të identifikuar si Toni Liko 42-vjeç, Klement Gjika 44-vjeç dhe Stelian Bodnariu 37-vjeç, të cilët kërkonin nga 11,000 paund për person, janë dënuar me gjithsej 15 vjet burg.
Të lidhura
None found
Toni Liko dhe Klement Gjika, u dënuan me nga pesë vjet e tetë muaj burg, ndërsa
Stelian Bodnariu u dënua me tre vjet e katër muaj.
Hetuesit zbuluan se gjatë 18 muajve të funksionimit të bandës, ata kishin dërguar në Londër deri në 20 shtetas shqiptarë, por shifra reale besohet të jetë shumë më e lartë.
Policia tha se për të kapur grupin, oficerët ndoqën automjetet, analizuan CCTV-të e stacioneve të shërbimit dhe përdorën mbikëqyrje për të identifikuar udhëheqësit e bandës.
Treshja e shqiptarëve u arrestua më 18 qershor të vitit të kaluar dhe telefonat e tyre u kontrolluan për mesazhet që tregonin koordinimin midis kontrabandistëve dhe shoferëve të kamionëve.
Inspektori Stuart Jack, që udhëhoqi hetimin, tha se kjo bandë kishte vetëm një motiv: fitimin e parave.
Ai shtoi se emigrantët që trafikohen shpesh shfrytëzohen më tej, kur mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar ose detyrohen të punojnë për rrjetet kriminale.
“Apeloj tek shoferët e kamionëve të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë. Kjo nuk është një krim pa viktima”, tha Jack.
