Deputetja e Partisë Socialiste Belinda Balluku, nga Fieri ka paralajmëruar angazhim maksimal për betejën e ardhshme elektorale, në një kohë kur ndaj saj rëndojnë akuza të forta nga SPAK dhe kur është e shkarkuar nga kryeministri Rama nga posti i zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në një postim në rrjetet sociale, duke sfiduar drejtësinë dhe SPAK, i cili kërkoi edhe arrestimin e saj, Balluku thotë se së bashku me deputetë dhe drejtues lokalë të PS-së kanë “ndezur motorët” për një proces të ri politik.
Të lidhura
None found
“Në qarkun e 📍Fierit, së bashku me deputetët dhe kryetarët e degëve të Partisë Socialiste 🌹, ndezëm motorët për një tjetër proces të rëndësishëm. Po forcojmë organizimin dhe po zgjerojmë familjen tonë të madhe socialiste, duke mirëpritur këdo që dëshiron të bëhet pjesë e këtij rrugëtimi.
Të gatshëm për betejën e radhës elektorale, duke pasur në vëmendje çdo qytetar dhe duke përcjellë zërin e çdo komuniteti. Njerëzit janë forca jonë e vërtetë dhe mbështetja e tyre është motivimi më i fortë për të bërë gjithmonë e më shumë në shërbim të tyre”, shkruan Balluku.
Por ndërsa flet për zgjedhje, Balluku ndodhet nën hetim nga SPAK për shkelje në tenderin e tunelit të Llogarasë, Unazës së Madhe të Tiranës dhe në procedura të tjera.
Prokurorët kanë ngritur dyshime se Balluku ka përdorur persona me precedentë dhe zyrtarë publikë për të intimiduar dëshmitarët dhe për të penguar procesin hetimor.
Sipas Prokurorisë, nëse akuzat provohen, ajo rrezikon deri në 35 vite burg. Megjithatë, pavarësisht akuzave dhe provave të paraqitura nga SPAK, Balluku vijon të mbajë mandatin e deputetes, pasi mazhoranca ka rrëzuar kërkesën për heqjen e imunitetit të saj.
