Një 13-vjeçare dyshohet se ishte viktimë e abuzimit seksual nga shumë persona për kohë të gjatë por edhe e keqtrajtimit dhe e neglizhencës nga familjarët, për më tepër edhe viktimë e incestit. Për këtë rast, Policia e Kosovës ka arrestuar vetëm një 51 vjeçar të cilin po e mbanë në paraburgim, ndërsa nuk dihet numri i personave që po dyshohen për rastin edhe pse ajo që dihet nga ekzaminimet mjekësore është se trupi i të miturës është “si të kishte kryer shumë lindje fëmijësh”.
***
Para jo më shumë se një muaji, më 16 qershor, familjarët e një vajze 13-vjeçare e kishin raportuar atë si “të zhdukur”. Pas kërkimeve të bëra, njësitet policore të Lipjanit e kishin gjetur vajzën në një shtëpi të pabanuar në gjendje të mjerueshme, e me vajzën gjetën edhe një rrëfim tronditës.
Burimet i kanë thënë Periskopit se vajza e mitur prej kohësh ishte përzënë nga familjarët e saj. Kjo e kishte detyruar atë që të qëndronte e të flinte rrugëve. Për këtë, ishin në dijeni edhe banorët e tjerë të Janjevës.
13-vjeçarja besohet se ka qenë viktimë e abuzimit seksual nga shumë persona – diçka që sipas informacioneve të Periskopit, është evidentuar nga ekzaminimet mjekësore dhe gjinekologjike. Këto ekzaminime i ishin bërë asaj menjëherë pas marrjes nën përkujdesje të së miturës.
Deri tash, për këtë rast është arrestuar vetëm një person i moshës 51 vjeçare me inicialet L.G. – e të cilit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Rasti për Periskopin është konfirmuar nga Policia e Kosovës. Përgjigja e tyre është si vijon:
‘’Denoncimi për rastin person i zhdukur ( fëmijë, 13 vjeç, femër) është bërë më datë 16.06.2021 në stacionin policor në Lipjan. Më datë 17.06.2021 policia ka arritur të gjej personin dhe konform rekomandimeve të prokurorit të shtetit ka nisur trajtimin e të gjitha rrethanave që kanë karakterizuar ngjarjen, me ç’ rast janë ngritur dyshime edhe për keqpërdorim seksual’’, thuhet në përgjigjen e Policisë.
‘’Përkitazi me rastin, një i dyshuar mashkull, 51 vjeç, është arrestuar nga ana e policisë dhe me aktvendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në mbajtje prej 48 orësh për t’u proceduar dhe paraqitur më tej mekanizmave relevant në procedurë’’, përfundon Policia.
Periskopi ka kontaktuar edhe me Prokurorinë Themelore të Kosovës, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje. Burime që kanë dashur të mbeten anonime në Policinë e Kosovës i kanë thënë gazetës tonë se deri tek arrestimi i të dyshuarit kanë ardhur pas intervistimit të së miturës.
Ajo ka treguar emrin e personit, e përveç tij ka përmendur edhe kontaktin që ka pasur me një 75 vjeçar kroat. Ky i fundit pas intervistimit është liruar nga Policia dhe nuk është trajtuar si person i dyshuar. E abuzimin seksual, sipas informacioneve që posedon Periskopi, e ka konstatuar ekipi mjeko-ligjor së bashku me gjinekologen. Kjo e fundit kishte konstatuar po ashtu se “vajza kishte përjetuar dhunë të shpeshtë seksuale dhe se gjendja e saj është shumë e rëndë, sikurse të kishte kryer shumë lindje fëmijësh”.
Por si kishin nisur përjetimet tmerruese të së miturës?
E mitura e abuzuar seksualisht kishte qenë anëtare e një familjeje në kushte të rënda ekonomike dhe sociale me njëmbëdhjetë fëmijë. Banorët e Janjevës kanë thënë se kohë pas kohe këta fëmijë kishin qenë “problematikë” për atë anë.
Kjo familje dyshohet se në një moment e kishte dëbuar vajzën e saj nga shtëpia. Arsyeja? Nuk dihet deri tash.
E mitura, sipas informacioneve të Policisë që posedon Periskopi, ishte detyruar të qëndronte rrugëve duke ju ekspozuar rrezikut të madh ndërkohë që pas një periudhe kohore kishte shkuar te axha i saj.
Por, edhe axha i saj më pas e kishte dëbuar dhe kjo e kishte detyruar që të bridhte rrugëve duke gjetur strehim vetëm nëpër shtëpi të braktisura të fshatit Janjevë. Sidoqoftë, situata rëndohet më tej. Burime brenda Policisë i kanë thënë Periskopit se mes të dyshuarve për abuzim seksual ndaj 13 vjeçares është edhe axha i saj. Rasti është nën hetime.
Për rastin ka pasur njohuri qysh moti edhe Qendra për Punë Sociale e Komunës së Lipjanit. Policia ka thënë se kjo qendër e dinte prej kohësh për dëbimin e vajzës nga shtëpia dhe për pamundësinë që ajo të strehohej. Kjo Qendër nuk kishte ndërmarrë asgjë konkrete për sigurimin e mirëqenies së fëmijës.
Si u bë që 13 vjeçarja që u abuzua seksualisht të lihej pa strehë për kohë aq të gjatë?
Rasti i rëndë i abuzimit seksual dhe neglizhencës familjare të 13 vjeçares nga Janjeva siç u tha më lart kishte rënë në ‘radarin e Policisë së Kosovës’ vetëm pas thirrjes që kishin bërë familjarët e saj për ta raportuar si “person të zhdukur”.
Vajza në fjalë ishte ekspozuar ndaj dhunës seksuale nga persona numri i të cilëve është i paspeficikuar deri në këtë pikë pas dëbimit nga shtëpia e saj, çka e bën të çuditshëm raportimin e tyre drejt Policisë si “person të zhdukur”.
Në dy raste ajo kishte mbetur në rrugë përkundër që ishte fëmijë i mitur. Në të parin, kur ishte dëbuar nga shtëpia e saj. Dhe në të dytin, kur ishte dëbuar edhe nga shtëpia e axhës së saj – i cili dyshohet se po ashtu ka kryer marrëdhënie seksuale me të.
Përveç Policisë dhe Prokurorisë, rasti është i njohur dhe i trajtuar edhe nga ana e Qendrës për Punë Sociale (QPS) në komunën e Lipjanit, të cilët në një përgjigje zyrtare për Periskopin kanë konfirmuar ngjarjen.
Drejtoresha e kësaj qendre, Makfirete Shamolli ka treguar për gjendjen e 13 vjeçares aktualisht, e cila tashmë është strehuar në një strehimore në Kosovë.
‘’Qendra për Punë Sociale në Lipjan duke ju referuar mandatit të saj në raste të tilla automatikisht vepron ne mbrojtje të interesit me të lartë të fëmijut, andaj për rastin në fjalë, organi i kujdestarisë së bashku me stacionin policir në Lipjan i ka ndermarrur te gjitha hapat e nevojshëm për mbrojtje të femijut duke asistuar në stacionin policor si dhe duke përfaqesuar rastin edhe në institucione të tjera, ndërsa duke marrë për bazë ndjeshmërinë e rastit me pëlqimin e prindërve është vendosur në strehimore për mbrojtje të fëmijëve për arsyje rehabilitimi dhe mbrojtje deri në përfundimin e procedurave tjera’’, ka thënë Shamolli për Periskopin.
‘’Rasti është nën mbikqyrje institucionale dhe jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me familjen e fëmijut, dhe gjendja e femijut është stabile!’’, shtojnë për rastin nga QPS Lipjan./Periskopi