“Po e shfrytëzoni protestën”, deputetja e PS-së i përgjigjet analistit: Kemi marrë masa

Deputetja socialiste Aulona Bylykbashi, e ftuar këtë të enjte në emisionin “Now” të Erla Mëhillit në Euronews Albania, foli për zhvillimet e fundit lidhur me protestën studentore dhe reagimin e policisë. Ajo iu përgjigj edhe analistit Zekthi, i cili kishte deklaruar se protesta po përdorej.

Bylykbashi krahasoi ndërhyrjen e forcave të rendit në Shqipëri me atë të policisë në vende të tjera të Europës, si Franca dhe Italia. Sipas saj, të dhënat zyrtare tregojnë se reagimi i policisë shqiptare ka qenë më i përmbajtur.

Të lidhura

None found

“Meqë e keni ndjekur, a keni parë edhe protestat e ditëve të fundit në Francë e Itali dhe mënyrën si ka reaguar policia atje?

Zonja Erla, a i keni parë rastet kur polici është goditur dhe rrëzuar nga një grup protestuesish? Ishte shumë e shëmtuar që në atë protestë u përdorën fëmijët, sepse e dini mirë se, nëse policia e shtetit goditet me molotovë, ajo do të reagojë. Kur në turmë ka edhe të mitur, edhe ata bëhen pjesë e sulmit.

Ditët e fundit, policia e shtetit është trajtuar në mënyrë jo qytetare. Ajo është një strukturë që garanton sigurinë dhe rendin kushtetues në këtë vend. Është e rëndësishme ta themi këtë, sepse bëhet fjalë për jetën tonë të përbashkët në Shqipëri dhe nuk duhet ta ngarkojmë atë.

Po ashtu, ndaj çdo polici që ka tejkaluar veprimet apo reagimin në raport me dhunën e ushtruar ndaj tyre, janë marrë masa sipas ligjit shqiptar. Shifrat, përtej pamjeve që kemi parë gjatë këtyre ditëve, tregojnë se reagimi i policisë në Shqipëri ka qenë më i përmbajtur. Janë të dhëna zyrtare të marra sot, ndaj duhet t’u besoni shifrave, por edhe pamjeve që shihni”, u shpreh ajo.