Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhor.
Dilema kushtetuese, sipas kabinetit të presidentes Osmani, është pasi e njëjta ka pranuar më shumë propozime nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvend sesa parashikohet me Kushtetutë.
KosovaPress shkruan se Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe në vend me mbi 51 për qind në zgjedhjet e fundit, ka propozuar tre anëtarë në KQZ. Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka dalë e dyta në zgjedhje, ka propozuar dy anëtarë në KQZ, ndërkaq dy partitë e tjera shqiptare, LDK dhe AAK, kanë propozuar nga një anëtar, sikurse edhe partitë nga komunitetet jo shumicë.
Në këtë rast, presidentja i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar se a u takojnë nga dy anëtarë LVV-së dhe PDK-së në KQZ, si dy partitë më të mëdha, apo në bazë të rezultatit zgjedhor të fundit, LVV-së i takojnë tre anëtarë e PDK-së një.
“Presidentja Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje. Sapo ta marrë përgjigjen, do të vijohet me emërim. Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të presidentes.
Subjekteve politike shqiptare në KQZ u takojnë gjashtë anëtarë, ndërsa katër anëtarë të tjerë u takojnë komuniteteve jo shumicë.
Në përbërjen e fundit të KQZ-së, LVV-ja ka pasur dy anëtarë, PDK-ja dy anëtarë, kurse LDK dhe AAK kanë pasur nga një anëtar.
