Kultivimi i kanabisit në banesën e Bilal Hasës, shpallet në kërkim edhe përgjegjësi i OSHEE

Policia e Peqinit ka dalë me një zyrtar lidhur me operacionin e koduar “Kurtaj”, ku u gjetën rreth 4 mijë rrënjë kanabis në banesën e drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, i cili është shpallur në kërkim dhe pezulluar nga detyra.

Policia njofton gjithashtu se ka shpallur në kërkim edhe përgjegjëshin e OSHEE për Peqinin, i cili akuzohet për shpërdorim detyre. Gjatë operacionit të policisë, u zbuluan 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan rreth 4000 bimë kanabisi, llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike.

Njoftimi i policisë:

Peqin/Finalizohet operacioni policor i koduar “Kurtaj” për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura me anë të llambave. Operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Krimet në Volum në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe Komisariatin e Policisë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan.

Zbulohen 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike. Sekuestrohen rreth 4000 bimë kanabisi, llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike.

Shpallet në kërkim pronari i ambientit. Në kërkim edhe përgjegjësi i OSHEE-së për Peqinin, për shpërdorim detyre.

Në vijim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë në kuadër të operacionit policor të koduar “Kurtaj”, ushtruan kontroll në fshatin Kurtaj, njësia administrative Gjocaj.

Gjatë kontrollit, në bodrumin e një magazine, u konstatuan 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin kultivuar rreth 4000 bimë kanabis.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ambienti është në pronësi të shtetasit B. H., i cili u shpall në kërkim.

Në vijim të veprimeve, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, u shpall në kërkim edhe shtetasi E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit.

Shërbimet e Policisë vijojnë punën për kapjen e tyre. Operacioni, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, vijon, ndërsa po punohet intensivisht për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.


Shtuar 19.03.2026 17:43

Tags: ,