Këtë të enjte, qeveria ka mbajtur mbledhjen e saj të radhës, ku janë marrë disa vendime për ligje dhe projektligje për disa ministri.
Në daljen për mediat, ministrat shpjeguan vendimet e marra, ndërsa iu përgjigjën edhe pyetjeve të ndryshme që lidheshin me aktualitetin politik, ekonomik dhe social.
Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave shpjegoi edhe çmimin e karburanteve pas konfliktit në Lindjen e Mesme dhe luftës në Iran.
Ai konfirmoi deklaratën e bërë dje edhe nga ministrja e Ekonomisë, Delina Brahimaj, se nuk do kishte ulje të taksës së qarkullimit apo akcizës, teksa shtoi se do monitorohej tregu i karburanteve dhe do kishte një çmim tavan nëse do vëreheshin abuzime.
“Taksa e qarkullimit që të ulet 45 lekë, do të thotë që të jetë aq. Por nuk është aq. Taksa e qarkullimit është në të gjitha venet e BE, por është e segmentuar, në pagesat e taksave të qarkullimit dhe të mjeteve. Marrja e taksës së qarkullimit në pikën e karburantit është me e mirë, pasi ai që paguan më shumë litra karburant, ka më shumë taksa”, tha ministri.
I pyetur për çmimin e karburanteve dhe veçanërisht tregun e naftës, ai shtoi:
“Jemi duke ndjekur në mënyrë dinamike tregun e karburanteve. Ajo që kemi ndjekur, është një model i vendosjes së çmimit tavan. Kemi Bordin e Transparencës dhe ky bord, siç u njoftua dhe dje, është aty dhe mund të krijohet me një vendim. Po e shohim problemin në dinamikë. Siç është mungesa në treg e hidrokarbureve, a ka apo jo. Ngushtica e Hormuzit nuk përbën problem për furnizimin. Pasi nafta vjen nga rrugë të tjera detare”, tha ai.
