“Po fshihet ajo që po ndodh realisht…”/Dua Lipa reagon zemërthyer për rastin e Epstein

Ylli i muzikës pop, Dua Lipa, ka kritikuar mënyrën se si po trajtohet në publik dhe media çështja e dosjeve Epstein, duke theksuar se gjuha e përdorur po zhvendos vëmendjen nga viktimat. “Në mënyrën si janë raportuar krimet dhe gjuha e përdorur, po u bëhet një dëm i madh të gjitha viktimave”, u shpreh këngëtarja gjatë podcast-it të saj Service 95, në një bisedë me autoren Roxane Gay.

Artistja theksoi se raportimet shpesh fokusohen në elementë sensacionalë. “Po mendoj për të gjitha ato histori që flasin për vajza të mitura dhe festa seksuale, në vend që të shkruajnë për viktimat që ishin fëmijë të trafikuar”, tha ajo.

Sipas saj, ky lloj trajtimi e maskon realitetin e rëndë të abuzimit. “Është sikur po vendoset gjithçka nën një lloj veli për të mbrojtur ndoshta lexuesin ose për të fshehur atë që po ndodh realisht”, shtoi Lipa. Ajo vuri në dukje se një pjesë e madhe e diskutimit publik është përqendruar te emrat e njohur të lidhur me Jeffrey Epstein dhe bashkëpunëtoren e tij Ghislaine Maxwell, duke lënë në hije viktimat dhe natyrën sistematike të abuzimit dhe trafikimit të të miturve.

Rikujtojmë se së fundmi ylli i muzikës pop ka ndarë mendime personale mbi sfidat që sjell jeta mes turneve botërore dhe marrëdhënieve në distancë. 30-vjeçarja iu përgjigj një fanseje që kishte emigruar për punë dhe kërkonte këshilla se si të ruante lidhjet me njerëzit e dashur nga larg. “Jam mësuar me këtë ritëm, sidomos gjatë turneve,” u shpreh ajo, duke pranuar se me kalimin e kohës bëhet më e përballueshme, por kurrë plotësisht e lehtë. Sipas saj, dhimbja nuk lidhet vetëm me momentet e mëdha që humbet, por edhe me mungesën e përditshmërisë dhe çasteve të vogla që ndërtojnë afërsinë.


Shtuar 18.03.2026 15:18