Greqia del në krah të vendeve të tjera europiane, Mitsotakis: Nuk do të marrim pjesë në operacione ushtarake në Hormuz

Në të njëjtën gjatësi vale me shumë udhëheqës europian ka qenë edhe deklarata e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis nga Athina gjatë konferencës së Bloomberg për energjinë, ku ka theksuar haptazi se Greqia nuk do të marrë pjesë në operacione ushtarake në Gjirin Persik dhe në zonën e konfliktit në Lindjen e Mesme .

“Përgjigjja e thjeshtë është: jo, Greqia nuk do të marrë pjesë në asnjë operacion rreth teatrit të operacioneve që janë aktualisht në zhvillim. Dhe dyshoj nëse në këtë moment ekziston një gatishmëri e madhe evropiane për një mision të tillë”, u shpreh Kyriakos Mitsotakis.

Mitsotakis ka sqaruar se Athina mbështet operacionin evropian për mbrojtjen e lundrimit në Detin e Kuq, por nuk do të përfshihet në veprime në Gjirin Persik pa një mandat të qartë të Bashkimit Evropian. Ai theksoi gjithashtu se prioriteti është stabiliteti dhe shmangia e përshkallëzimit.

Duke iu referuar drejtpërdrejt Ngushticës së Hormuzit ,një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, Mitsotakis paralajmëroi për pasoja globale nëse situata përkeqësohet. E megjithatë I pyetur në se presidenti amerikan do ti kërkonte drejtpërdrejt ndihmë ai ka thënë :

“Nuk do të përfshihemi në veprime në rajon e më gjerë për sa kohë vazhdojnë operacionet ushtarake. Kemi qenë absolutisht të qartë që në fillim: po forcojmë qëndrimin tonë mbrojtës. Natyrisht, na intereson shumë liria e lundrimit. Mes nesh ka, siç e dini, pronarë të shquar grekë të anijeve që janë shumë të shqetësuar për atë që po ndodh në këtë rajon”, tha ai.

Rreziku në këtë ngushticë prek drejtpërdrejt edhe transportin detar grek siç ka theksuar edhe ministria e Transportit detar të Greqisë. Janë 168 anije të interesave greke, 34 prej tyre me flamurin grek që ndodhen aktualisht në Gjirin Persik, Ngushticën e Hormuzit dhe Gjirin e Omanit. Në rajon shërbejnë gjithashtu qindra marinarë grekë dhe situata e tyre monitorohet çdo ditë.

Që nga fillimi i luftës, janë goditur në zonë disa anije tregtare, mes tyre edhe ato të interesave greke, duke rritur ndjeshëm rrezikun për një nga korridoret më strategjike energjetike dhe tregtare të planetit.


Shtuar 17.03.2026 19:01