Armë zjarri dhe fishekë, arrestohet 46-vjeçari në Tiranë

Një 46-vjeçar është vënë në pranga nga policia në Tiranë. Arrestimi i tij ka ardhur pasi u kap teksa transportonte armë dhe municionE, që dyshohet se i kishte marrë në fshatin Shëngjergj, me qëllim shitjen në Tiranë.

I arrestuari është identifikuar si Urim Meta. Policia ka sekuestruar 4 kallëpë tritoli, 2 armë zjarri dhe 1500 fishekë.

Më tej, bëhet me dije se policia po vijon hetimet me qëllim identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Njoftimi:

“Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Synimi”. Sekuestrohen 4 kallëpë tritoli, 2 armë zjarri dhe 1500 fishekë. Arrestohet në flagrancë shtetasi që transportonte armët dhe municionin, që dyshohet se i kishte marrë në fshatin Shëngjergj, me qëllim shitjen në Tiranë.

Si rezultat i punës intensive operative dhe operacionale, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e menjëhershëm të shtetasve të përfshirë në transportim/shitje të armëve shpërthyese dhe armëve të zjarrit, për përdorim në ngjarje kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan me sukses operacionin e koduar “Synimi”.

Gjatë operacionit, u kap në flagrancë, në rrugën e fshatit Shëngjergj, shtetasi U. M., 46 vjeç, banues në Tiranë.Nga kontrolli në automjetin që drejtonte, u gjetën 4 kallëpë tritoli, 2 armë zjarri dhe 1500 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Armët dhe municioni u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe celularin e të arrestuarit.

Vijon hetimi, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.


Shtuar 17.03.2026 11:00