SPAK çoi për gjykim grupin kriminal që kultivonte dhe shiste kanabis, GJKKO shpall dënimet për 5 anëtarët (EMRAT)

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka dhënë vendimet për 5 anëtarë të një grupi kriminal me akuzën se kanë kultivuar dhe shitur lëndë narkotike në Shkodër, grup i cili u godit në vitin 2023.

Pasi SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi dosjen për gjykim, Gjykata e Posaçme dënoi me 39.8 vite burg në total anëtarët.

Ata u shpallën fajtor për akuzën e “kultivimit të lëndëve narkotike” të kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, “shitje e prodhim narkotikësh” dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Arben Shpati, u shpall fajtor për tre akuza, kultivim të lëndëve narkotike të kryer si grup i strukturuar kriminal, për të cilën u dënua me 10 vite burg, dhe për akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, për të cilën u dënua me 12 vite burg.

Për akuzën e grupit të strukturuar, GJKKO vendosi 3 vite burg. Si përfundim, ai në total u dënua me 13 vite burg, ndërsa nga gjykimi i shkurtuar, dënimi iu ul në 8 vite e 8 muaj burg.

Pavlin Shpati u shpall fajtor për tre akuza gjithashtu. Me 9 vite burg u dënua për kultivim të lëndëve narkotike, me 10 vite burg për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, dhe me 3 vjet për grup të strukturuar kriminal.

Në përfundim, GJKKO vendosi 10 vite e 6 muaj burg për të, por nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i ulet në 7 vite burg.

Edhe Aleksandër Rrasa, u dënua për këto tre vepra penale. 8 vite burg për kultivim droge, 12 për prodhim dhe shitje narkotik,sh dhe 3 vjet për grup të strukturuar kriminal. Në total u vendos dënimi për të treja veprat me 12 vite burg. Duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, i ulet në 8 vite burg.

Jeton Kacoli, u dënua 8 vjet për kultivim droge, 12 vite për shitje dhe prodhim të lëndëve narkotike dhe 3 vite për grup të strukturuar kriminal. Për të tre akuzat u dënua me 12 vite në total, të cilit iu ul në 8 vjet përfundimisht.

Kristjan Plepaj, u dënua me 8 vjet burg për kultivim droge, 12 për prodhim dhe shitje droge, dhe 3 për grup të strukturuar kriminal. Duke përffituar nga gjykimi i shkurtuar, ai do të bëjë 8 vjet burg.

NJOFTIMI I PLOTË I GJKKO:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt:

“Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 161, të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve Aleksandër Rrasa, Kristian Plepaj, Pavlin Shpati, Jeton Kacoli dhe Arben Shpati”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca, me vendimin nr. 23, datë 12.03.2026 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Arben Shpati për kryerjen e veprës penale “Kultivim i bimëve narkotike” kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284/1, 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Arben Shpati për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 283/1, 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Arben Shpati për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal” në formë të pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

Në zbatim të nenit 55 të K.Penal mbi caktimin e dënimit për kryerjen e disa veprave penale, i pandehuri Arben Shpati dënohet me një dënim të vetëm prej 13 (trembëdhjetë) vjet burgim.

Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale masës së mësipërme të dënimit i zbritet 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Arben Shpati me një dënim të vetëm prej 8 (tetë) vjet dhe 8 (tetë) muaj burgim.  Vuajta e dënimit për të pandehurin Arben Shpati të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së lartë.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Pavlin Shpati për kryerjen e veprës penale “Kultivim i bimëve narkotike” kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284/1, 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 9 (nëntë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Pavlin Shpati për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/1, 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Pavlin Shpati për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

Në zbatim të nenit 55 të K.Penal mbi caktimin e dënimit për kryerjen e disa veprave penale, i pandehuri Pavlin Shpati dënohet me një dënim të vetëm prej 10 (dhjetë) vjet dhe 6 (gjashtë) muaj burgim.

Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale masës së mësipërme të dënimit i zbritet 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Pavlin Shpati me një dënim të vetëm prej 7 (shtatë) vjet burgim.

Vuajta e dënimit për të pandehurin Pavlin Shpati të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së lartë 3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Aleksandër Rrasa për kryerjen e veprës penale “Kultivim i bimëve narkotike” kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga nenet 284/1, 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 8 (tetë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Aleksandër Rrasa për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/1, 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Aleksandër Rrasa për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes e parashikuar nga neni 333/a/2 dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim. Në zbatim të nenit 55 të K.Penal mbi caktimin e dënimit për kryerjen e disa veprave penale, i pandehuri Aleksandër Rrasa dënohet me një dënim të vetëm prej 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale masës së mësipërme të dënimit i zbritet 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Aleksandër Rrasa me një dënim të vetëm prej 8 (tetë) vjet.

Vuajta e dënimit për të pandehurin Aleksandër Rrasa të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së lartë.

4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Jeton Kacoli për kryerjen e veprës penale “Kultivim i bimëve narkotike” kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal e parashikuar nga nenet 284/1, 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal dhe në bazë të të këtyre dispozitave dënimin e tij me 8 (tetë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Jeton Kacoli për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga nenet 283/1, 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal dhe në bazë të të këtyre dispozitave dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Jeton Kacoli për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

Në zbatim të nenit 55 të K.Penal mbi caktimin e dënimit për kryerjen e disa veprave penale, i pandehuri Jeton Kacoli dënohet me një dënim të vetëm prej 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.  Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale masës së mësipërme të dënimit i zbritet 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Jeton Kacoli me një dënim të vetëm prej 8 (tetë) vjet burgim.

Vuajta e dënimit për të pandehurin Jeton Kacoli të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së lartë.

5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Kristjan Plepaj për kryerjen e veprës penale “Kultivim i bimëve narkotike” kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284/1, 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal dhe në bazë të të këtyre dispozitave dënimin e tij me 8 (tetë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Kristjan Plepaj për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284/1, 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Kristjan Plepaj për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

Në zbatim të nenit 55 të K.Penal mbi caktimin e dënimit për kryerjen e disa veprave penale, i pandehuri Jeton Kacoli dënohet me një dënim të vetëm prej 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale masës së mësipërme të dënimit i zbritet 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Kristjan Plepaj me një dënim të vetëm prej 8 (tetë) vjet burgim.

Vuajta e dënimit për të pandehurin Kristjan Plepaj të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së lartë.

6. Provat materiale të sekuestruara për llogari të këtij procedimi penal në zbatim të nenit 190 të K.Pr.Penale të mbahen në ruajtje për llogari të procedimeve të ndara.

7. Shpenzimet procedurale gjatë fazës së hetimit si dhe shpenzimet gjyqësore i lihen në ngarkim të pandehurve në mënyrë solidare.

8. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda 15 (pesëmbedhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit

 


Shtuar 13.03.2026 11:29