PS kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut, reagon ambasada e SHBA: Pavarësia e drejtësisë, thelbësore për vijimin e bashkëpunimit mes dy vendeve

Ambasada e SHBA në Tiranë, i është përgjigjur interesit të News24 në lidhje me raportin e paraqitur një ditë më parë nga socialistët, të cilët u shprehën kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, ish-zëvendës kryeministres dhe ish-zëvendës ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila akuzohet për abuzime me tenderat.

Në reagim, ambasada amerikane thekson se nuk bën asnjë koment për çështje ligjore që janë në proces, por shton se pavarësia e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri janë thelbësore për të vazhduar bashkëpunimin mes dy vendeve në luftën kundër krimit.

“Pavarësia e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri mbetet thelbësore për vazhdimin e bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit ndërkombëtar. Nuk kemi koment për çështje ligjore që janë në proces”, shprehet ambasada e SHBA.

Përmes raportit të prezantuar një ditë më parë, dhe të depozituar të premten në Kuvend, socialistët pretendojnë se ajo nuk akuzohet për korrupsion dhe se akuza e shkeljes së barazisë në tendera mund të hetohet me masën aktuale ndaj saj, dhe se ajo tashmë nuk mban asnjë funksion në qeveri pasi u shkarkua nga dy postet.

PS pretendon se zgjerimi i hetimeve ndaj Ballukut, me shtimin e episodeve të reja, nuk është argument për të kërkuar masë më të rëndë sigurie ndaj Ballukut sepse vepra penale, ajo e abuzimit me tenderat, mbetet e njëjtë.

Sipas PS, masa e ndalimit të daljes jashtë vendit është e mjaftueshme sepse, përkundër faktit se SPAK ka depozituar provat e nevojshme në Kuvend, socialistët pretendojnë se Balluku nuk ka dyshim që të largohet jashtë vendit apo të prishë provat.

Sipas Raportit të socialistëve, nga materialet dhe informacioni i paraqitur nga Prokuroria e Posaçme në Kuvend krahas kërkesës për heqjen e imunitetit të Balluku, “nuk rezulton të jetë paraqitur ndonjë rrethanë e re konkrete dhe aktuale, e lindur pas caktimit të masës ekzistuese të sigurimit personal, që të tregojë se kjo masë është bërë e pamjaftueshme për qëllimet e procedimit penal”.

Në këto rrethana, thekson raporti i PS, “pretendimi për rëndimin e nevojave të sigurimit nuk rezulton të përmbushë standardin procedural të kërkuar për zëvendësimin e masës së sigurimit persona”.

Opozita reagoi menjëherë duke e akuzuar kryeministrin Edi Rama se po mbron Belinda Ballukun dhe veten e tij, pasi sipas tyre, pas aferave korruptive të ish zëvendës kryeministres, qëndron vetë ai.

Balluku u shkarkua nga detyra e zv kryeministres dhe ministres në fund të shkurtit. Ajo është marrë zyrtarisht e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë, por SPAK dyshon se ajo ka ndikuar edhe në shumë procedura të tjera tenderuese, ndërsa ndaj saj ka nisur gjithashtu edhe një hetim pasuror.


Shtuar 10.03.2026 12:58