Prokuroria e Posaçme ka dhënë detaje për rolin e oficerit të policisë Rezart Kuçi, i cili u arrestua nga SPAK në kuadër të hetimeve për një grup të strukturuar kriminal që vepronte nga Vlora.
Kuçi, aktualisht shef seksioni në policinë shkencore në Kukës, dyshohet se ka ndihmuar grupin e drejtuar nga Inez Hajrulla në disa forma.
Sipas dosjes hetimore, ai ka siguruar logjistikë për transportin e drogës, ka nxjerrë informacione konfidenciale për kontrollet policore dhe ka ndërhyrë në pajisje celulare duke fshirë të dhëna me interes për hetimin.
Po ashtu dyshohet se ka përdorur në mënyrë të paligjshme sistemin TIMS dhe ka komunikuar me anëtarët e grupit përmes aplikacionit të koduar Sky ECC.
Në vitin 2025, kur u vranë Gentjan Qarri dhe Bledar Birçaj, hetuesit besojnë se pas ngjarjeve qëndronte grupi i Hajrullës.
Në atë kohë Kuçi mbante detyrën e shefit për hetimin e krimeve në Vlora. Gjatë karrierës ai ka shërbyer edhe në Lushnjë dhe si shef i krimeve në komisariatin nr.1 në Tiranë.
Në dosje përmendet edhe një rast i trafikut të drogës në dhjetor të vitit 2020, kur rreth 400 kilogramë kokainë u dërguan nga Spanjë drejt Gjermani dhe u sekuestruan nga autoritetet gjermane.
Sipas hetimeve, Kuçi ishte një nga porositësit e kësaj sasie bashkë me Armen Memishaj, i cili është shpallur në kërkim.
Të dy dyshohet se bashkëpunonin me anëtarë të tjerë të grupit dhe kishin investuar edhe në mjete lundruese për transportin e drogës.
Rezart Kuçi është arrestuar për shpërdorim detyre, trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Ndërkaq, hetimet për këtë dosje vazhdojnë.
PJESË NGA NJOFTIMI ZYRTAR I SPAK:
Në një tjetër rast, 400 kilogramë kokainë të trafikuar nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor 2020 janë sekuestruar nga autoritetet gjermane. Sipas hetimeve, porositës dhe posedues të kësaj sasie dyshohen të jenë shtetasit R.K., oficer policie (i cili më parë ka mbajtur detyra në DVP Vlorë, Fier, Tiranë dhe Kukës), dhe A.M., në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të grupit kriminal, të cilët kishin investuar edhe në mjete lundruese për transport të drogës.

