Albano Bogdo flet për divorcin e prindërve dhe ‘paktin’ me nënën: Babi u çua një ditë dhe iku, tha ‘nuk jam i lumtur’

Aktori i njohur i humorit, Albano Bogdo ka folur si rrallë herë për divorcin e prindërve të tij dhe barrën që ndjeu mbi supe që në fëmijëri.

Në një intervistë të dhënë se fundmi, ai tregoi se ndarja e prindërve erdhi vetëm gjashtë muaj pas vdekjes së gjyshit të tij, një periudhë e rëndë për familjen.

“Nuk e kisha pritur. Nuk dallohej në shtëpi”, tha ai në ‘Grida Duma Podcast’, kur u pyet nëse kishte shenja të krizës në familje.

Sipas tij, i ati ishte një njeri korrekt dhe shumë gjakftohtë. “U çua një ditë dhe iku. Tha ‘nuk jam i lumtur, jam i lumtur diku tjetër’ dhe bëri zgjedhjen e tij. Kush jam unë ta gjykoj? Nuk po e gjykoj, thjesht po tregoj çfarë ndodhi”, u shpreh Albano.

Aktori rrëfeu se momenti më i vështirë ishte reagimi i rrethit shoqëror, pasi në vend të mbështetjes, ai u përball me pritshmëri të rënda për moshën që kishte.

“Vinin të gjithë dhe më thonin: ‘tani je burri i shtëpisë, duhet t’i vësh shpatullat shtëpisë’. Unë s’kisha mbushur 12 vjeç. Isha shumë i vogël për t’i vënë shpatullat shtëpisë. T’i vije shpatullat shtëpisë do të thoshte të filloje punë e të lije shkollën. Nuk kishte zgjidhje të mesme”, u shpreh Albano.

Ai u ndal edhe tek raporti me të ëmën, për të cilën tha se e konsideron jo vetëm si nënë, por edhe si mikeshë të ngushtë.

“I thashë: çfarëdo që të ndodhë, ne do jemi shokë të ngushtë derisa të vdesë njëri nga ne. Unë nuk do të të lë asnjëherë vetëm”, rrëfeu ai.


Shtuar 2.03.2026 17:57