Ka nisur sot seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, duke shënuar hapin e parë drejt ngritjes së institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe certifikimit të rezultateve.
Seanca, e cila filloi rreth orës 17:30, po drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje. Në hapje, ai paraqiti rendin e ditës që përfshin: formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhjen e nënkryetarëve.
Me 118 vota pro të deputetëve të pranishëm u miratua formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve. Komisioni përbëhet nga një përfaqësues i secilës parti politike dhe ka për detyrë të shqyrtojë vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të rinj.
Pas miratimit të komisionit, seanca është ndërprerë përkohësisht deri në përfundimin e verifikimit të mandateve.
Konstituimi i Kuvendit i hap rrugë formimit të Qeverisë së re të Kosovës.
