Përmes një postimi në rrjetin social X, Presidenti i vendit Bajram Begaj, është shprehur i tronditur për sulmin me armë në shkollën e “British Columbia” në Kanada, ku kanë humbur jetën 10 persona dhe janë plagosur rreth 25 të tjerë.
Kreu i shtetit, u ka shprehur ngushëllimet familjeve të viktimave dhe solidarizimin e Shqipërisë me popullin kanadezë kundër çdo akti dhune që merr jetë njerëzore.
“I tronditur nga të shtënat tragjike në një shkollë në British Columbia. Ngushëllimet e mia më të thella familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë të plagosurve. Shqipëria solidarizohet me popullin kanadez dhe dënon çdo akt dhune që merr jetë njerëzore”, shkruan Begaj në “X”.
Shocked by the tragic school shooting in British Columbia.
My deepest condolences to the families of the victims and a swift recovery to the injured.
Albania stands in solidarity with the Canadian people and condemns any act of violence that takes human lives.
— Bajram Begaj (@BajramBegajAL) February 11, 2026
Sipas raportimeve nga mediat e huja, shtatë nga viktimat u zbuluan brenda shkollës së mesme në komunitetin Tumbler Ridge. Dy persona të tjerë u gjetën të pajetë në një banesë, ndërsa një tjetër viktimë humbi jetën gjatë transportimit për në spital.
Edhe personi që dyshohet se hapi zjarr u gjet gjithashtu i pajetë, ndërsa ekziston mundësia që ai/ajo të jetë vetëqëlluar. Ende nuk është i qartë motivi i sulmit, ndërkohë që hetimet për identifikimin e autorit dhe viktimave vijojnë.

