Molotovët drejt Kryeministrisë dhe parlamentit, rreth 20 protestues shoqërohen në polici

Rreth 20 protestues janë shoqëruar në polici pasi hodhën molotovë dhe lëndë piroteknike përpara protestës para Kryeministrisë dhe Kuvendit, raporton gazetarja Xhensila Kodra.

Opozita zhvilloi sot protestën e radhës duke kërkuar largimin e qeverisë së Edi Ramës, ndërsa menjëherë pas përfundimit të fjalës së kryedemokratit Sali Berisha, protestuesit hodhën molotov drejt godinës së kryeministrisë, e cila i shpërndau me përdorimin e autobotit e ujë. Më pas protestuesit u zhvendosën drejt Parlamentit, ku pati përplasje me policinë.

Mbështetësit e opozitës hodhën përsëri molotovë dhe fishekzjarre. Policia tha se nga molotovët kanë mbetur të lënduar, me djegie dhe dëmtime fizike 16 efektivë policie, të cilët kanë marrë mjekim në spital.

Lëndime pësoi gjithashtu edhe deputeti demokrat Bledjon Nallbati, i cili u dërgua në spital me dëmtime në kokë.

Opozita kërkon dorëheqjen e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, pas përfshirjes së kësaj të fundit në skandale korrupsioni dhe vënies nën akuzë zyrtarisht nga SPAK për abuzime me tenderat.

Ajo është pezulluar nga detyra, por gjithashtu kërkohet heqja e imunitetit dhe hapja e rrugës së arrestit.


Shtuar 10.02.2026 22:21