E trishtë/ Ndahet nga jeta në moshën 47-vjeçare këngëtari i njohur

Brad Arnold, themeluesi dhe solisti i grupit të njohur amerikan 3 Doors Down, ka ndërruar jetë në moshën 47-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga vetë banda përmes një postimi në Instagram.

“Me zemra të thyera ndajmë lajmin se Brad Arnold, themelues, këngëtar dhe autor këngësh i 3 Doors Down, u nda nga jeta të shtunën, më 7 shkurt”, thuhet në reagimin e grupit.

Arnold humbi jetën pas një beteje me kancerin e veshkave. Ai ndërroi jetë në gjumë, i rrethuar nga bashkëshortja Jennifer dhe familjarët.

Këngëtari ishte një nga figurat më të rëndësishme të rock-ut të viteve 2000, duke lënë pas hite që dominuan radiot në mbarë botën, si “Kryptonite,” “Here Without You” dhe “When I’m Gone.”

Sipas bandës, Arnold e kishte shkruar këngën ikonike “Kryptonite” gjatë një ore algjebre në shkollën e mesme, kur ishte vetëm 15 vjeç, një këngë që më vonë do të bëhej simbol për një brez të tërë.

“Tekstet dhe muzika e tij u kthyen në një pikë referimi kulturore, duke krijuar momente lidhjeje, gëzimi dhe përvojash të përbashkëta që do të jetojnë edhe shumë kohë pas tij”, thuhej më tej në mesazhin e bandës.

Arnold e bëri publik diagnozën e tij në maj, kur zbuloi se vuante nga një formë agresive e kancerit të veshkave që ishte përhapur edhe në mushkëri, në stadin e katërt.

Artisti lë pas bashkëshorten e tij, ndërsa fansat në mbarë botën po reagojnë me mesazhe dhimbjeje për humbjen e një prej zërave më të njohur të rock-ut modern.

 


Shtuar 8.02.2026 09:01