Ernest Çela, fqinji i familjes Kola, 4 anëtarët e së cilës ndërruan jetë mbrëmjen e 4 shkurtit në Porcari në provincën e Lucca-s në Itali, ka rrëfyer për mediat italiane momentet dramatike nga ngjarja e rëndë.
Për La Repubblica, i riu shqiptar tregon se kur hyri në banesën tre katëshe të familjes Kola bashkë me të afërmin e tyre, vëllain e kryefamiljarit Arti Kola, si dhe dy efektivë policie, i gjetën të shtrirë përtokë pa ndjenja në katin e dytë.
Gjithashtu, ai thekson se në atë moment ata kishin ende puls dhe rrahje zemre.
I riu tregoi se në një moment edhe xhaxhai i djalit humbi ndjenjat, si dhe atij filluan t’i merreshin mendtë dhe doli jashtë. I riu tha se kur hapën dritaret, kishte dalë tym i bardhë.
“Mbrëmë rreth orës 21:30 erdhi patrulla e policisë bashkë me xhaxhain e djalit që ka ndërruar jetë. Menjëherë hymë në banesë dhe u ngjitëm në katin e dytë, ku pashë 4 trupat të shtrirë pa ndjenja në tokë. Në atë moment shkova menjëherë të kontrolloja nëse kishin akoma puls dhe deri në atë moment kishin ende rrahje zemre. Më pas, një moment, xhaxhai i djalit, ai që tani është i shtruar në spitalin e Cisanellos në gjendje të rëndë, humbi ndjenjat. Më pas edhe mua filluan të merreshin mendtë. Më pas bashkë me babanë tim dhe dy karabinierët kuptuam se në ajër kishte diçka, një gaz ose diçka e ngjashme”, ka thënë ai.
NGJARJA
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 4 shkurtit në banesën e familjes. Nga hetimet e para, dyshohet se anëtarët e saj u helmuan nga rrjedhja e monoksidit të karbonit nga pajisja e ngrohjes.
Viktimat janë identifikuar si Arti Kola 48 vjeç, Jonida Kola 42 vjeçe dhe dy fëmijët, Hajdar dhe Xhesika Kola, 22 dhe 15 vjeç.
Alarmin e ka dhënë vëllai i kryefamiljarit, i cili njoftoi karabinierët. Pasi mbërritën në banesën trekatëshe dhe nuk morën asnjë përgjigje pas trokitjeve dhe u detyruan të thyejnë derën.
Kryetari i komunës së Porcarit në Itali, Leonardo Fornaciari shprehu tronditjen dhe hidhërimin e tij të thellë për tragjedinë.
“Mbrëmë, një tragjedi e madhe ndodhi në qytetin tonë. Një familje e tërë humbi jetën në shtëpi. Hetimi do të hedhë dritë mbi këtë çështje, por shkaku duket të jetë monoksidi i karbonit. Familja Kola, përfshirë babain Arti, nënën Jonidën dhe fëmijët e tyre Hajdar dhe Xhesikë, ishin shumë të respektuar dhe të dashur nga komuniteti ynë. Jemi të gjithë të tronditur dhe të trishtuar nga kjo ngjarje, e cila më kujtoi menjëherë tragjedinë e familjes Malanca, e cila ndodhi në shkurt të vitit 1992. Komuniteti ynë u shpreh ngushëllimet e tij të sinqerta të afërmve dhe miqve të familjes Kola për këtë humbje të rëndë që ka prekur të gjithë Porcarin.”, shkroi ai.


