“Kushtetuta ka rënë”, ish ministri deklaratë të fortë për “shpërndarjen e Parlamentit”

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka komentuar deklaratën e fortë të Presidentit të vendit, Ilir Meta në lidhje me dekrete që do të “shpartallojnë grushtin e shtetit”.

“Më në fund, në asnjë kompetencë të shkruar në Kushtetutë nuk përmendet “shpërndarja e Kuvendit” si detyrë specifike për Presidentin“, sqaron Manjani.

Por duke ndarë atë që parashikon Kushtetuta dhe atë që mendon ai, Manjani thotë se “çështja është se kjo Kushtetutë ka rënë, sepse është praktikisht e dhunuar aq keq sa nuk ke më nga ta kapësh për të gjetur kush ka të drejtë e kush jo”.

POSTIMI I PLOTË I YLLI MANJANIT

Në përgjigje të gjithë gazetarëve dhe miqve në FB,megjithëse e kam sqaruar dhe më parë, në pamundësi për ta sqaruar për secilin veç e veç, po e sqaroj edhe njëherë “shpërndarjen e Kuvendit” sipas Kushtetutës.

Kuvendi mund të shpërndahet VETËM në tre rrethana:
1. Kur nuk arrin të zgjedhë Presidentin sipas nenit 87 të Kushtetutës.
2. Kur nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin, sipas nenit 96.
3. Kur Kryeministri humbet mocionin e besimit, sipas nenit 101.

Këto janë arsyet e vetme kushtetuese kur shpërndahet Kuvendi.

Proceduralisht, nisma për shpërndarjen e Kuvendit merret nga Presidenti vetëm kur Kuvendi i ri i pas zgjedhjeve nuk zgjedh dot Kryeministrin e ri sipas nenit 96.

Në çdo rast tjetër, Presidenti vihet në lëvizje nga Kryetari i Kuvendit ose Kryeministri.

Më në fund, në asnjë kompetencë të shkruar në Kushtetutë nuk përmendet “shpërndarja e Kuvendit” si detyrë specifike për Presidentin.

Kjo është Kushtetuta e shkruar.
==================
Komenti im:

Çështja është se kjo Kushtetutë ka rënë, sepse është praktikisht e dhunuar aq keq sa nuk ke më nga ta kapësh për të gjetur kush ka të drejtë e kush jo.

Zbatimi korrekt i kësaj kushtetute kërkon qeverisje demokratike të bazuar në zgjedhje të lira; Kushtetutën si aktin themelor të shtetit; demokracinë si parim themelor; pluralizmin politik si filozofi sunduese dhe ekonominë e lirë të tregut. Të gjitha këto parime të shkruara në Kushtetutë.

Por, në realitet të gjitha këto kanë marrë fund!

Pyetja është si rivendoset rendi Kushtetues?

Mendimi im është vetëm me proces politik që çon vendin në zgjedhje të lira e të ndershme si fillim. Në vijim duhet shpallur “e shenjtë” Kushtetuta dhe duhet ndërtuar shteti NORMATIV, sipas hierarkisë.

I gjithë korpusi ligjor i normave speciale, të veçanta apo të jashtëzakonshme, tipike këto për shoqërinë diktatoriale duhet SHFUQIZUAR dhe duhet ndaluar miratimi i mëtejshëm i tyre.

Kështu fillon. Por ka plot për të bërë… /albeu.com/


Shtuar 20.02.2020 09:03