Greqia “pushtohet” nga përmbytjet/ Moti i keq shkakton mbylljen e shkollave, ja zonat më të rrezikuara…

Greqia është përfshirë nga një valë e fortë e motit të keq, e shoqëruar me ulje të ndjeshme të temperaturave, reshje të dendura shiu dhe dëbore, duke ngritur alarmin e kuq në disa rajone të vendit.

Me vendim të Guvernatorit Rajonal të Atikës, Nikos Hardalias, dhe pas rekomandimeve të Komitetit të Vlerësimit të Rrezikut, Mbrojtjes Civile dhe Shërbimeve Mjekësore të Emergjencës, është vendosur që të gjitha shkollat publike dhe private, si ato fillore, të mesme, ashtu edhe shkollat e natës, të qëndrojnë të mbyllura ditën e mërkurë, më 21 janar, në të gjithë rajonin e Atikës.

Vendimi është marrë si masë paraprake për mbrojtjen e nxënësve dhe stafit mësimdhënës, për shkak të rreziqeve që lidhen me lëvizjen drejt dhe nga institucionet arsimore, ndërsa priten reshje intensive shiu me intensitet të lartë nga mesi i ditës e në vijim.

Sipas buletinit të emergjencës të Shërbimit Kombëtar Meteorologjik Grek, moti i keq do të karakterizohet nga:

Shira dhe stuhi të forta, që nga orët e para të mëngjesit të së mërkurës në zonat qendrore dhe jugore të vendit, ndërsa nga pasditja fenomenet do të përfshijnë edhe Detin Egje.

Reshje të dendura dëbore, lokalisht gjatë së mërkurës, në zonat malore dhe gjysmëmalore të Greqisë kontinentale, si dhe në Thesali dhe Maqedoni, edhe në zona me lartësi të ulët.

Erëra të forta dhe rënie të ndjeshme të temperaturave.

Ndërkohë, Qendra Kombëtare e Koordinimit për Operacionet dhe Menaxhimin e Krizave (ESKEDIK) ka bërë të ditur se ndodhet në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet vendore të shkallës së parë dhe të dytë, si dhe me të gjitha strukturat përgjegjëse, për të ndjekur nga afër zhvillimin e situatës dhe për të ndërmarrë masa operative nëse do të jetë e nevojshme.


Shtuar 20.01.2026 15:25

Tags: ,