Prej disa orësh, një pjesë e qytetit të Shkodrës po përballet me mungesë të ujit të pijshëm, situatë që ka shkaktuar vështirësi për shumë familje shkodrane.
Lidhur me këtë problematikë ka reaguar Ndërmarrja Ujësjellës-Kanalizime Shkodër, e cila bën me dije se ndërprerja ka ardhur si pasojë e një defekti në furnizimin me energji elektrike në Stacionin e Pompimit nr. 1 në Dobraç.
Sipas njoftimit zyrtar, ekipet teknike të OSHEE dhe OST, në bashkëpunim të ngushtë me Ujësjellës-Kanalizime Shkodër, ndodhen në terren dhe po punojnë intensivisht për rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit normal me ujë.
Ndërmarrja u bën thirrje qytetarëve për mirëkuptim, duke i siguruar se situata po trajtohet me prioritet maksimal dhe se furnizimi do të normalizohet sapo të zgjidhet defekti teknik.
