Temperatura ekstreme, akull dhe ngrica/ Bllokohen disa fshatra në Dibër, probleme edhe me furnizimin me ujë të pijshëm

Këtë të hënë, i ftohti, ngricat dhe akulli kanë përfshirë qarkun e Dibrës. Në disa zona të thella, temperaturat gjatë natës kanë zbritur deri në -10 gradë Celsius.

Si pasojë, janë shfaqur probleme në furnizimin me ujë të pijshëm në disa fshatra të thella. Të bllokuara nga bora mbeten fshatra në njësitë administrative Lurë, Kala e Dodës, Muhurr, Selishtë, si dhe disa fshatra në njësitë Trebisht dhe Ostren.

Në këto zona, trashësia e borës arrin mbi 40 centimetra.

Prezencë e madhe bore dhe akulli, raportohet në rrugët rurale. Bashkitë Dibër dhe Bulqizë, janë në terren dhe po punojnë për hapjen e akseve rrugore.

Ndërkohë, ura e Çerenecit në aksin Çerenec-Librazhd, është e pakalueshme për qarkullim.

Sa i përket lëvizjes në akset kryesore:

Peshkopi Tirane qarkullimi kryhet pa zinxhirë

Peshkopi-Kukës: qarkullimi kryhet vetëm me zinxhirë

Gjithashtu, probleme janë raportuar edhe në zonën e Martaneshit, ku bora dhe ngricat vijojnë të vështirësojnë lëvizjen.


Shtuar 12.01.2026 08:22