I ftohti mbërthen Librazhdin/ Dëbora, ngrica dhe vështirësi të shumta në zonat malore

Prej më shumë se një jave, bashkia e Librazhdit, vijon të jetë e përfshirë nga dëbora dhe ngricat, duke e bërë situatën problematike në mjaft zona, veçanërisht në fshatrat malorë.

Qarku i Elbasanit, ka përjetuar kushte të vështira atmosferike gjatë kësaj jave, por Librazhdi rezulton zona më e prekur nga moti i përkeqësuar, i shoqëruar me reshje të dendura shiu dhe stuhi dëbore.

Disa ditë më parë, dëbora mbuloi për disa orë edhe qytetin e Librazhdit, ndërsa aktualisht shumica e fshatrave të bashkisë vijojnë të jenë të mbuluara nga dëbora dhe ngricat.

Temperaturat kanë shënuar rënie të ndjeshme, ndërsa termometri në orët e para të mëngjesit ka zbritur deri në -7 gradë Celsius.

Fshatrat malorë, përfshirë Fushë Studën, Qarrishtën, Neshtën, Kostenjën, Orenjën, malin e Dardhës, Xhyrën, Spatharin, Babjen, Polisin dhe zona të tjera, janë të mbuluara nga dëbora.

Ndërkohë, aksi rrugor Librazhd–Peshkopi ka pësuar ndërprerje të qarkullimit disa herë gjatë kësaj jave, duke e bërë të domosdoshme përdorimin e zinxhirëve për mjetet që qarkullojnë në këtë segment.

Agjencia e Shërbimeve Publike, strukturat e Emergjencave Civile dhe grupet e OSHEE-së janë çdo ditë në terren për të monitoruar situatën dhe për të ndërhyrë aty ku është e nevojshme.

Kryetari i Bashkisë Librazhd, z. Mariglen Disha, ka qenë i pranishëm edhe gjatë fundjavës në terren, duke inspektuar fshatrat e Njësisë Administrative Polis dhe duke vlerësuar gjendjen e rrugëve si dhe nevojat e banorëve.

Në Njësinë Administrative Steblevë, trashësia e dëborës ka arritur mbi 40 centimetra, ndërsa punonjësit e mirëmbajtjes po punojnë intensivisht për të mbajtur rrugët të hapura dhe të aksesueshme.

Kryebashkiaku Disha, thekson se situata monitorohet në mënyrë të vazhdueshme në çdo njësi administrative dhe se grupet e punës janë në gadishmëri të plotë për të përballuar çdo problematikë.

Gjatë ditës së shtunë, pjesa më e madhe e grupeve të ndërhyrjes u përqendruan në fshatrat e Njësisë Administrative Polis, ku u shënuan bllokime të disa segmenteve rrugore për shkak të rrëshqitjes së masiveve të dherave dhe gurëve nga skarpatet e kodrave.

Autoritetet vendore u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të respektojnë udhëzimet e strukturave përkatëse, për të garantuar sigurinë gjatë këtyre kushteve të vështira atmosferike.


Shtuar 10.01.2026 14:30