Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi protestën e qytetarëve vlonjatë për shkak të mungesës së ujit të pijshëm.
Nga selia blu, ai tha se përgëzon reagimin qytetar, duke shtuar se zyrtarëve të bashkisë “ua zunë galanë në fyt”, referuar protestës së djeshme para vendit, ku ata po mbanin festën për fundvitin.
“Dua të përshëndes përzemërsisht qytetarët e Vlorës për protestën e tyre dinjitoze, për fibrën e tyre qytetare, që reaguan në mënyrën më të fuqishme, ua zunë galanë në fyt zyrtarëve makutë, që kanë vjedhur fondet e ujësjellësit dhe ishin mbledhur të festonin me to. Qytetarë dhe qytetare, ju përjetoni padrejtësitë më të mëdha. Protesta juaj kundër regjimit është shpëtimtare për ju dhe për Shqipërinë.Uji nuk mungon vetëm në Vlorë, uji mungon në mbarë Shqipërinë.
Arbitrariteti nuk ushtrohet vetëm në Vlorë, ushtrohet në çdo skaj të këtij vendi. Për të shpëtuar duhet zëri juaj, duhet angazhimi juaj qytetar. Të përzëmë sa më parë këtë të keqe të madhe që i ka rënë në krye Shqipërisë. PD angazhohet, opozita angazhohet në betejën finale për largimin e organizatës kriminale nga pushteti, organizatë që kryesohet nga Edi Rama”, tha Berisha.
Kryedemokrati theksoi se rruga e vetme janë protestat, duke i ftuar qytetarët që të mblidhen së bashku për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës.
“Opozita do të fillojë protesta pa asnjë diskutim. Opozita po bën gjithçka për të qartësuar tek çdo qytetar se, rruga e vetme është protesta e qëndrueshme. Se është koha, sot më shumë se kurrë të vendosi për të marrë përsipër misionin tonë të ri. Misionin e përmbysjes së regjimit të narkoshtetit. Mision i cili do të përmbushet sapo mijëra shqiptarë të vendosin të dalin në shesh çdo ditë. Të protestojnë kundër regjimit. Të ndahen nga apatia, lodhja, mërzitja, zhgënjimi që i ka pushtuar.
Bulevardi është sheshi, është rruga e fitores. Asnjë prej tyre nuk duhet t’i thotë vetes se sa jemi. Idealet nuk maten me numra, forca e idealeve nuk maten nga numrat, por nga guximi dhe guximi i idealistëve është i pashtershëm dhe triumfues. Dhe unë kam besim të madh se kjo karabina e kalbur që po kundërmon erën më të keqe në Shqipëri dhe mbarë Europën, do të marrë vendin që meriton”, tha Berisha.
