Pas disa muajsh pezullim me vendim të Prokurisë së Tiranës, miliarderi Behgjet Pacolli deklaron se prej ditës së sotme Aeroporti i Vlorës i është rikthyer normalitetit institucional dhe rendit ligjor.
Me një status të publikuar në rrjete sociale, pronari i VIA-s thotë se operimi në aeroport do të vijojë tashmë normalisht, duke lënë të kuptohet se drejtësia është shprehur dhe mesa duket nga përplasja me ortakun në dyert e gjykatave, Pacolli ka dalë i fituar.
“Po kthehet normaliteti me aeroportin e Vlorës!
Akti më i lartë i përgjegjësisë qytetare dhe patriotike është kontributi ndaj familjes, shoqërisë dhe shtetit përmes punës së ndershme, profesionale dhe respektimit të parimeve të drejtësisë. Drejtësia, ndonëse shpesh përballet me sfida dhe procese të vështira, ajo mbetet universale dhe e pashmangshme në zbatimin e saj.
Eshtë një ndjenjë krenarie për një qytetar kur drejtësija në vëndin e tij funksionon në mënyrë të pavarur, të pandikuar dhe të qëndrueshme.
Nga sot, në Vlora International Airport, rikthehen normaliteti institucional, rendi ligjor dhe besimi duke i falenderuar drejtesise!” shkruan Pacolli.
Behgjet Pacolli, pronar i “Mabco Construction S.A.” nisi një përplasje në gjykata me ortakun e tij Valon Ademi pronar i 2A Grop dhe shkak ishte ndarja e aksioneve për aeroportin e Vlorës.
Valon Ademi përfaqësues i kompanisë 2A Group, fillimisht ka pasur 2% të aksioneve në Aeroportin e Vlorës. Ndërkohë pas tërheqjes së turqëve, Yda , të cilët i shitën aksionet e tyre për 4200 euro, Ademi ka pretenduar se mes tij dhe Pacollit u firmos një kontratë ku atij i kaluan 47% të aksioneve.
2A Group e Ademit kërkoi të njihet si 47% aksioner duke pasur në dorë kontratën por edhe gjithë dokumentet e investimit gjatë këtyre dy viteve, ndërsa Mabco e Pacollit refuzon dhe ka marrë një vendim si aksioner kryesor që të mos lejohet ndryshimi i aksioneve.
